Shkaqet e demencës janë të ndërlikuara, por një pjesë e madhe e rasteve lidhen me faktorë rreziku që mund të modifikohen. Një studim i ri nga Spitali Universitar Skåne në Suedi tregon se rreth 45% e rrezikut për zhvillimin e demencës vjen nga faktorë që mund të kontrollohen ose të ndikohen pozitivisht.
Studimi, i publikuar në “The Journal of Prevention of Alzheimer’s Disease”, fokusohet në dy format më të shpeshta të demencës: sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën vaskulare.
Sipas autorëve, demenca nuk fillon në pleqëri, por shumë vite përpara shfaqjes së simptomave. Kjo do të thotë se ndërhyrja e hershme mund të ndihmojë në parandalimin e saj, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Presioni i lartë i gjakut, nivelet e larta të yndyrnave në gjak, sëmundjet ishemike të zemrës, duhanpirja dhe niveli i ulët arsimor u lidhën me dëmtime të lëndës së bardhë të trurit, të cilat janë shenjë e demencës vaskulare.
Ndërkohë, diabeti u shoqërua me depozitime të beta-amiloidit, ndërsa indeksi i ulët i masës trupore lidhej me grumbullimin e proteinës tau – të dyja biomarkues të Alzheimerit.
Studiuesit analizuan të dhënat e 494 pjesëmarrësve, me moshë mesatare 65 vjeç, të ndjekur për katër vjet me ekzaminime të avancuara neurologjike.
Ekspertët theksojnë se neurodegjenerimi nuk është pjesë e pashmangshme e plakjes, por rezultat i zgjedhjeve dhe ekspozimeve gjatë jetës.
Menaxhimi agresiv i rrezikut kardiovaskular, përmirësimi i shëndetit metabolik dhe investimi në arsim e stimulim njohës mund të ngadalësojnë ose parandalojnë shfaqjen e demencës.
Studimi forcon idenë se veprimet e hershme sot mund të kenë ndikim të madh në shëndetin e trurit në të ardhmen. /Gazeta Shneta/

