Gratë në menopauzë përballen me simptoma të ndryshme, përfshirë fitimin e peshës, dhe shpesh është e vështirë të humbasin kilogramët e shtuar për shkak të ndryshimeve hormonale dhe metabolike. Për të ndihmuar në humbjen e peshës pas menopauzës, disa gra po përdorin medikamente GLP-1, si Wegovy dhe Zepbound.
Një studim i ri, i publikuar në “The Lancet Obstetrics, Gynaecology, & Women’s Health’, gjeti se kombinimi i terapisë hormonale me tirzepatidin – përbërësi aktiv i Zepbound mund të ndihmojë gratë pas menopauzës të humbin më shumë peshë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan të dhënat e 120 grave pas menopauzës, me një mesatare moshe rreth 56-vjeç, që kishin mbipeshë ose obezitet dhe që trajtoheshin me tirzepatid për të paktën 12 muaj. Nga këto, 40 përdornin gjithashtu terapi hormonale për menopauzën, ndërsa 80 nuk përdornin.
Autorja kryesore, Dr. Regina Castaneda nga Klinika Mayo, shpjegon se arsyeja e fokusit mbi ndërveprimin e tirzepatidit me terapinë hormonale buron nga vëzhgimet klinike dhe baza shkencore.
Kombinimi i terapive hormonale dhe tirzepatidit sjell 35% humbje më shumë peshe pas menopauzës
Në përfundim të studimit, studiuesit zbuluan se gratë pas menopauzës që merrnin terapi hormonale për menopauzën humbën rreth 35% më shumë peshë me tirzepatid krahasuar me ato që përdornin vetëm tirzepatidin.
Dr. Maria Daniela Hurtado Andrade, endokrinologe në Klinikën Mayo dhe autore e lartë e studimit, theksoi rëndësinë klinike të këtij zbulimi: “Gratë pas menopauzës përballen me një barrë të lartë të obezitetit dhe rritje të rrezikut kardiometabolik, ndaj strategjitë efektive të humbjes së peshës janë veçanërisht të rëndësishme për këtë grup.”
Hurtado Andrade, shtoi se humbja më e madhe e peshës sugjeron se terapia hormonale mund të jetë një modifikues i rëndësishëm i përgjigjes ndaj tirzepatidit, duke hapur rrugën për një qasje më të personalizuar, ku statusi i menopauzës dhe përdorimi i terapive hormonale merret parasysh kur këshillohen gratë në moshë të mesme dhe krijohen planet trajtuese.
Ky qasje synon të avancojë mjekësinë precize për menaxhimin e rrezikut kardiometabolik të lidhur me obezitetin, duke siguruar që strategjitë terapeutike reflektojnë nevojat unike të grave në moshë të mesme. /Gazeta Shneta/


