Studiues nga “Shkolla e Mjekësisë Icahn” në Malin Sinai, në bashkëpunim me institucione të tjera shkencore, kanë përdorur teknologjinë e mësimit makinerik për të identifikuar faktorët kryesorë që parashikojnë rrezikun e vdekshmërisë te pacientët me demencë.
Studimi i publikuar në shkurt në revistën “Communications Medicine”, synon të ndihmojë profesionistët shëndetësorë në identifikimin e pacientëve me rrezik të lartë të vdekjes afatshkurtër dhe në kuptimin më të thellë të faktorëve që e ndikojnë këtë rrezik, shkruan Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Ndryshe nga studimet e mëparshme që janë përqendruar kryesisht në diagnostikimin e demencës, ky hulumtim fokusohet në prognozën e sëmundjes.
Kjo qasje e re ndihmon në përmirësimin e njohurive mbi ecurinë e demencës dhe faktorët që përcaktojnë mbijetesën e pacientëve, një aspekt kyç në menaxhimin e sëmundjes.
Demenca përfaqëson një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në popullatat që po plaken, megjithatë parashikimi i saktë i vdekshmërisë mbetet i vështirë për shkak të progresionit të ndryshueshëm të sëmundjes.
Sipas Dr. Kuan-lin Huang, profesor i gjenetikës dhe shkencave gjenomike në Icahn Mount Sinai, gjetjet tregojnë potencialin e madh të modeleve të mësimit makinerik për të parashikuar me saktësi rrezikun e vdekjes.
Analizat u bazuan në të dhëna nga mbi 45,000 pjesëmarrës dhe 163,000 regjistrime vizitash, duke mundësuar ndërtimin e modeleve për tetë lloje të ndryshme të demencës.
Një gjetje e rëndësishme e studimit është se rezultatet e testeve neuropsikologjike rezultuan tregues më të fortë të vdekshmërisë sesa faktorë tradicionalë si mosha, kanceri apo sëmundjet e zemrës.
Këto rezultate nënvizojnë rëndësinë e demencës si sëmundje neurodegjenerative dhe hapin rrugë për kujdes më të hershëm dhe ndërhyrje më efektive. /Gazeta Shneta/


