Një studim i ri sugjeron se ambroksoli – një ilaç i zakonshëm kundër kollës – mund të ndihmojë në stabilizimin e simptomave neuropsikiatrike te personat me demencë nga sëmundja e Parkinsonit.
Sipas burimit Medical News Today, demenca në Parkinson prek një pjesë të atyre që tashmë janë diagnostikuar me këtë sëmundje dhe mbetet një fushë kyçe e kërkimit klinik.
Studimi, i botuar në “JAMA Neurology”, krahasoi efektet e ambroksolit me placebo te 55 persona mbi moshën 50 vjeç, të cilët kishin pasur Parkinson për të paktën një vit përpara se të shfaqnin demencë, transmeton Gazeta Shneta.
Pjesëmarrësit morën ose një dozë të lartë ambroksoli ose placebo për një vit, duke pasur edhe një person kujdestar që i vizitonte të paktën katër herë në javë.
Rezultatet treguan se ndonëse ambroksoli nuk solli përmirësim të dukshëm në funksionin njohës krahasuar me placebon, ai ndihmoi në ruajtjen e qëndrueshmërisë së simptomave neuropsikiatrike. Në grupin me placebo, këto simptoma u përkeqësuan.
Gjithashtu, ilaçi shfaqi potencial për të ndikuar në një enzimë të quajtur beta-glukocerebrozidazë, e cila është lidhur me përmirësime të mundshme në këtë formë të demencës.
Studimi evidentoi edhe efekte anësore: grupi me ambroksol raportoi më shumë shqetësime gastrointestinale, ndërsa grupi me placebo pati më shumë probleme psikiatrike dhe rënie fizike.
Këto gjetje hapin rrugë për kërkime të mëtejshme mbi ambroksolin si trajtim mbështetës për simptomat e demencës në Parkinson. /Gazeta Shneta/


