Dy ekspertët dhe profesorët e mjekësisë, Prof. Isuf Dedushaj dhe Prof. Muharrem Bajrami, nuk janë ftuar më në Ministrinë e Shëndetësisë që nga ardhja e ministrit të ri Armend Zemaj.
Epidemiologu i parë shqiptar Dedushaj dhe infektologu me mbi 40 vjet përvojë pune Bajrami, kanë qenë të angazhuar vullnetarisht me ftesë të ish-ministrit Arben Vitia që nga ditët e para të pandemisë në Kosovë.
Gazeta ka kontaktuar me dy profesorët dhe të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë marr ftesë nga ministri Zemaj. “Nuk më ka kontaktuar askush që nga ardhja e Qeverisë së re. Unë jam duke qëndruar më shumë në shtëpi dhe nuk po dal për shkak të situatës”, ka deklaruar Bajrami.
Edhe profesor Dedushaj ka treguar se nuk është më i angazhuar në Ministrinë e Shëndetësisë, pas punës vullnetare për tre muaj që ka bërë. “Kam punuar vullnetarisht për tre muaj dhe tani jam në shtëpi. Nuk mund të flas më tepër. Për çdo gjë kontaktoni në Institut”, ka deklaruar Dedushaj.
Komiteti i MSH-së për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19 është duke vazhduar takimet edhe pas ardhjes së ministrit Zemaj. Ky i fundit sot ka raportuar në Komisionin parlamentar për Shëndetësi.
Kujtojmë se gjatë javës së fundit është rritur numri i rasteve pozitive me Covid-19. Vetëm dje kanë qenë 81 raste pozitive, duke çuar numrin total në 1916 persona pozitiv deri më sot. Në Klinikën Infektive sot janë raportuar mbi 60 pacientë të hospitalizuar, prej të cilëve 35 janë në gjendje më të rëndë. /Gazeta Shneta/