Agjencitë evropiane të shëndetit publik kanë vlerësuar se rreziku nga formula e kontaminuar për foshnja është aktualisht i ulët, pas tërheqjeve të produkteve në disa vende të kontinentit.
Në një vlerësim të përbashkët, European Centre for Disease Prevention and Control dhe European Food Safety Authority njoftuan se ndikimi i mundshëm në shëndet mbetet nga i ulët deri në i moderuar, në varësi të moshës së fëmijës.
Sipas raportit, shumica e foshnjave të prekura kanë pasur simptoma të lehta gastrointestinale dhe janë rikuperuar plotësisht, shkruan Euronews Health trasnmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, disa raste kanë kërkuar trajtim spitalor për shkak të dehidratimit, ndaj të cilit janë më të ndjeshme foshnjat nën gjashtë muaj.
Rastet e para u raportuan në dhjetor 2025 dhe vazhduan deri në mesin e shkurtit 2026. Të paktën 26 foshnja janë shtruar në spital në Evropë për helmim të dyshuar me toksinën cereulide, por të gjitha janë liruar pas trajtimit.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se identifikimi i rasteve mbetet sfidues, pasi simptomat — të përziera, të vjella dhe diarre — janë të ngjashme me infeksionet e zakonshme virale të aparatit tretës që qarkullojnë gjatë dimrit.
Hetimet paraprake tregojnë se kontaminimi lidhet me bakterin Bacillus cereus në vajin e acidit arahidonik (ARA) nga një furnizues i vetëm në Kinë, i përdorur në disa produkte premium.
Ndërkohë, në Francë po hetohet edhe vdekja e tre foshnjave që mund të lidhet me formulën e tërhequr të Nestlé, por lidhja nuk është konfirmuar.
Autoritetet u bëjnë thirrje prindërve që të kontrollojnë produktet e formulës që përdorin dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse foshnjat shfaqin simptoma si të vjella, diarre apo shenja dehidratimi.


