Në konferencën për media pasi u takuan në Ministri të Shëndetësisë, ministri Uran Ismaili dhe kryeministri Ramush Haradinaj, janë deklaruar edhe për skandalin e avancave.
Ismaili ka deklaruar se ka qenë në dijeni për keqpërdorimin e avancave që nga dhjetori i vitit të kaluar, ndonëse skandali doli në publik rreth pesë muaj më vonë, shkruan Gazeta Shneta.
“Ka pas tentime për me mbulu, mirëpo ne e kemi stagnu dhe nga ky stagnim kemi arrit me kuptu që këtu kemi të bëjmë me keqpërdorim”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka shtuar se suspendimi i tre zyrtarëve nga puna tregon për luftën ndaj korrupsionit dhe thotë se çdo kush që lidhet me këto keqpërdorime do të largohet nga puna. Megjithatë ai nuk është përgjigjur në pyetjen e Gazetës nëse do të shkarkohet edhe drejtori i AKPM-së, Jeton Shala.
“Në momentin kur ne shohim se dikush tjetër duhet të largohet nga puna, fare nuk është me rëndësi emri kush është, qoftë në MSH – qoftë diku tjetër. Jemi të vendosur dhe s’do të kemi dilema që ata që kanë bërë keqpërdorime do të largohet nga institucionet”, ka deklaruar Ismaili.
Ndonëse është pyetur për shkarkimin e kryeshefit të AKPM-së i cili emërohet nga Qeveria, Haradinaj shkurt është përgjigjur se nuk do të komentojë rastin duke mos dashur të ndërhyjë në punën e organeve të ligjit.
Prokuroria është duke hetuar skandalin e avancave ku dyshohet për keqpërdorimin e rreth 800 mijë eurove. Gazeta Shneta ka raportuar në vazhdimësi për këtë skandal duke shpërfaqur edhe lidhjet familjare që dyshohet se kanë funksionuar në tërheqjen e avancave.
Për këtë rast po hetohet edhe një zyrtare në Thesarin e Kosovës, e cila dyshohet se ka ndërhyrë në llogaritë e AKPM-së dhe MSH-së. Deri më tani një zyrtar i AKPM-së është arrestuar, ndërsa janë suspenduar nga puna tre zytarë në MSH. /Gazeta Shneta/