Shkruan: Aulona Mustafa
Duke qenë se si natyrë jam optimiste dhe përpiqem të shoh gjithmonë gotën gjysmë plot e të shoh gjërat pozitive mbase edhe aty ku nuk ka, po marr shkas nga një debat ‘online’ që pata me një komentuese (që më thoshte që sa bëja palestër, më mirë të rrija me vajzën time) për të shkruar disa rreshta në lidhje me një fenomen që vazhdon ende të jetë mbizotërues në shoqërinë shqiptare: ideja që kur një grua bëhet nënë duhet të heqë dorë nga vetja e saj e t’i dedikohet totalisht fëmijës deri në vetëmohim. “Një nënë heroinë çdo kënaqësi duhet ta ketë të lidhur me fëmijën e familjen”, ndryshe nuk e meriton titullin nënë, madje-madje etiketohet edhe si nënë e keqe.
Është kaq e trishtë, kaq gjynah, që vajza e nëna të reja ndihen të nënshtruara e të ndrydhura nga mentaliteti i vjetër i njerëzve që i rrethojnë, të detyruara të jetojnë jetën siç do burri apo vjehrra me vjehrrin, siç i vendosin ata rregullat, pa pasur mundësinë për të vepruar ndryshe. E them këtë nisur nga shumë mesazhe që më vijnë në inbox, ku ka pasur nga ato gra që më kanë shkruar se do të donin shumë të shkonin në palestër pas lindjes, por nuk i lë burri apo vjehrra, sepse ajo është nënë dhe duhet të kujdeset për fëmijën. A thua se fëmijën e bën vetëm gruaja! A thua se vetëm nëna ka detyra dhe përgjegjësi lidhur me fëmijën që sjell në jetë, ndërsa babai ka vetëm pjesën e qejfit!
Por është akoma edhe më e trishtë kur mendon që ka ende shumë gra, nëna të reja që e përqafojnë me vetëdije këtë mendësi kaq të prapambetur, duke hequr dorë nga vetja për t’ju dedikuar fëmijës. Po kush e ka thënë që këto gjëra nuk mund të bëhen paralelisht? Në të gjitha studimet e kryera nga psikologë e specialistë të fushës, është arritur në konkluzionin që nëna më të mira janë ato që ndihen mirë dhe të lumtura me veten e tyre, sepse këtë lumturi do t’ja përçojnë edhe fëmijës. Një nënë e pakënaqur me veten e saj, me jetën e saj, me fizikun, me punën, me njerëzit që e rrethojnë, i ka gjasat shumë të vogla që të përcjellë lumturi tek fëmija e saj. Fëmija është padyshim gjëja më e bukur dhe lumturia më e madhe në jetë, por kjo s’ka pse të përjashtojë lumturitë e tjera të jetës, që janë po aq të rëndësishme.
Nëna të dashura, mos lejoni asnjëherë, askënd t’ju bëjë të ndiheni në faj pse po gjeni kënaqësi nga dikush tjetër që nuk është fëmija juaj, apo nga një aktivitet tjetër që nuk ka të bëjë me fëmijën tuaj. Keni të gjithë të drejtën e botës që çdo ditë të vitit të gjeni kohën dhe hapësirën për veten tuaj dhe të bëni gjërat që ju bëjnë të ndiheni mirë, ju qetësojnë mendërisht e ju mbushin shpirtërisht, e që nuk janë domosdoshmërisht ndërrim pelenash, ushqim me gji apo lexim përrallash. Gjeni kohën për të dalë me shoqet, për të vajtur tek parukierja, për të bërë një trajtim tek estetistja, për të vajtur në palestër, për të bërë shëtitje vetëm, për të ngrënë një darkë me partnerin, për t’u arratisur disa ditë vetëm me të, për të studiuar, lexuar, punuar, për t’u rritur profesionalisht… dhe më besoni që kjo është dhurata më e bukur që mund t’i bëni fëmijës suaj. Një fëmijë nuk është asnjëherë aq i vogël sa e mendojmë ne, kur bëhet fjalë për të kuptuar e sidomos ndjerë gjëra, prandaj një fëmijë që rritet në një ambient të lumtur, me një nënë të realizuar me veten e jetën e saj, e ndjen më së miri këtë gjë dhe më besoni kur ju them që shumë shpejt do ta reflektojë edhe vetë këtë lumturi.
Bëhuni modeli më i mirë i fëmijës suaj, modeli i gruas që vajza juaj do të ndjekë në jetë, apo modeli i gruas që djali juaj do të ketë shoqe jete! Dhe ky model është ai i gruas që do dhe mund t’i bëjë të gjitha, jo i gruas që kur bëhet nënë heq dorë nga të gjitha!
I jam pafund mirënjohëse mamasë sime e cila herë me vetëdije e herë pa e kuptuar fare, më rriti me imazhin më të mirë të asaj që një grua duhet të jetë. Në radhë të parë më rriti e edukoi me konceptin e respektit për veten. Po nuk respektove veten të parën, do ta kesh shumë të vështirë të respektosh të tjerët, e për rrjedhojë nuk do mund të presësh as respektin e tyre, madje as të fëmijës tënd.
E kam ende në mendje imazhin e mamasë sime kur vinte nga puna, fillonte punët e shtepisë dhe kur mbaronte, pavarësisht se mund të ishte e lodhur, më merrte mua dhe motren, futej në dhomë, ndizte magnetofonin dhe fillonte të kërcente ose të bënte ushtrime për të mbajtur trupin në formë (Mami të dua shume. Mos u merzit që e shkruajta këtë).
Atëherë duhet të kem qenë 5-6 vjeç, por edhe pse kanë kaluar mbi 25 vite, e mbaj mend me sa adhurim e shikoja mamin që ishte gjithmonë plot energji dhe nuk lodhej kurrë së bëri gjërat që donte. (Mami nuk ta kam thënë kurrë, por dije që të adhuroj).
Me të njëjtin adhurim e shikoja edhe kur, pasi kishte kaluar gjithë ditën në punë e gjithë pasditen duke u marrë me detyrat e duke na pyetur mësimet mua dhe motrës, në darkë gjente kohën dhe energjinë për t’u lyer, veshur bukur e për të dalë bashkë me babin e miqtë e tyre.
Ah sa shumë shembuj të tillë kam, shembuj që i kam pasur me vete gjithë këto vite dhe më kanë shërbyer e ndihmuar për të vlerësuar e respektuar akoma edhe më shumë veten, pikërisht në momentin që jam bërë nënë, sepse e kam kuptuar që ky është detyrimi më i madh që kam ndaj vajzës sime: ta rris e ta edukoj me konceptin se respekti dhe dashuria për veten janë të parat, edhe pse dashuria për fëmijën do të jetë gjithmonë më e madhja!
Po ti e bën dot këtë gjë për fëmijën tënd? Provoje! /Blitz.al/