Një studim i publikuar në “Annals of Internal Medicine”, tregon se personat që përdorin barna për humbje peshe të klasës GLP-1, si Ozempic, janë më të rrezikuar nga refluksi i rëndë acidik dhe sëmundja kronike GERD (sëmundja gastroezofageale e refluksit).
Sipas hulumtuesve nga Qendra për Epidemiologji Klinike në Spitalin e Përgjithshëm Hebre në Montreal, Kanada, personat me diabet të tipit 2 që marrin barna GLP-1 kanë më shumë gjasa të zhvillojnë GERD sesa ata që marrin inhibitorë SGLT-2, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Barnat e grupit SGLT-2 veprojnë duke bllokuar një proteinë në veshka, e cila normalisht rithith glukozën nga urina përsëri në gjak. Kur kjo proteinë bllokohet, glukoza eliminohet përmes urinës, duke ndihmuar në uljen e nivelit të sheqerit në gjak.
Ndërkohë, barnat GLP-1 imitojnë hormonin që ndihmon në kontrollin e insulinës, zvogëlojnë oreksin dhe ngadalësojnë tretjen – dhe pikërisht ky ngadalësim i kalimit të ushqimit përmes stomakut mund të shkaktojë refluks acidik.
Studimi përfshiu mbi 24,700 pacientë me diabet që sapo kishin filluar trajtimin me barna GLP-1 dhe i krahasoi ata me mbi 89,000 pacientë që përdornin SGLT-2.
Rezultatet treguan se përdoruesit e barnave GLP-1 kishin 27% më shumë gjasa të zhvillonin GERD dhe 55% më shumë gjasa të përjetonin ndërlikime të lidhura me të, krahasuar me ata që përdornin barna SGLT-2.
Më shumë se 90% e ndërlikimeve kishin të bënin me ezofagun Barrett – një gjendje në të cilën acidi dëmton shtresën e brendshme të ezofagut dhe rrit rrezikun për kancer. Rreziku ishte më i lartë te duhanpirësit, personat me obezitet dhe ata me probleme ekzistuese në stomak.
Studiuesit paralajmërojnë se këto rezultate duhet të konfirmohen edhe në grupe të tjera, veçanërisht te personat që përdorin GLP-1 vetëm për trajtimin e obezitetit. Ata theksojnë se përdorimi i këtyre barnave po rritet me shpejtësi dhe kërkohet më shumë hulumtim në këtë fushë. /Gazeta Shneta/


