Njerëzit që luajnë videolojëra mund të jenë në një rrezik të shtuar të humbjes së përhershme të dëgjimit dhe tringëllimës në veshët (tinitusit).
Ekspozimi rekreativ ndaj tingujve me intensitet të lartë, njihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si një faktor i rëndësishëm rreziku për humbjen e dëgjimit, shkruan burimi Health News përcjell Gazeta Shneta.
Rishikimi sistematik i publikuar në “BMJ Public Health”, vlerësoi 14 studime në të cilat individët luanin video lojëra mesatarisht tre orë në javë, me nivele të matura të zërit që thuajse tejkalonin kufijtë e lejuar të ekspozimit ndaj zërit.
Për shembull, një studim zbuloi se nivelet mesatare të zhurmës së kufjeve në lojërat me gjuajtës varionin midis 88.5 dhe 91.2 dB, duke arritur kulmin deri në 118.7 dB.
Sipas OBSH-së, të rriturit mund të ekspozohen në mënyrë të sigurt ndaj një vëllimi mesatar prej 80 dB, i ngjashëm me zilen e derës, deri në 40 orë në javë. Tingujt në një volum prej 90 dB, të tilla si biseda me bërtitje, mund të dëgjohen me siguri për katër orë në javë.
Në një eksperiment tjetër të rishikuar, 30 individë luajtën një lojë gjuajtëse duke përdorur kufje të vendosura në nivelet e tyre të preferuara të dëgjimit, që varionin nga 60 në 90 dB.
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se meshkujt luajnë video lojëra më shpesh, për periudha më të gjata dhe në nivele tingulli me intensitet më të lartë, duke i bërë ata më të prekshëm ndaj humbjes së pakthyeshme të dëgjimit.
Autorët e studimit pranojnë se provat për lidhjen midis lojërave dhe humbjes së dëgjimit dhe/ose tringëllimës në veshët janë të kufizuara, duke theksuar nevojën për kërkime të mëtejshme.
Tringëllima në veshët është perceptimi i tingullit që nuk ka një burim të jashtëm, duke prekur rreth 10 deri në 25% të të rriturve. Zakonisht përkufizohet si një tingull zileje, por disa njerëz mund të dëgjojnë zhurmë ose gumëzhimë. Shkaqet e tringëllimës në veshë janë të panjohura, por gjendja shpesh shoqërohet me një shkallë të caktuar të humbjes së dëgjimit.
Autorët arrijnë në përfundimin se “videolojërat mund të jetë një burim i zakonshëm i ekspozimit rekreativ ndaj tingujve me intensitet të lartë, i cili mund të vendosë shumë individë në mbarë botën në rrezik të humbjes së dëgjimit dhe/ose tringëllimës në veshët”. /Gazeta Shneta/


