Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit dhe zakonisht formohet në lëkurë që është ekspozuar ndaj dritës së diellit, por mund të ndodhë kudo në trup. Ai shfaqet për shkak të dëmtimit të ADN-së së qelizave kryesisht nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit ultravjollcë (UV) por edhe faktorëve tjerë fizik, kimik dhe biologjik.
Në një intervistë në rubrikën “Mjeku i Javës” për gazeta Shneta, dermatovenerologu, Dr. Rexhep Morina tregon për rrezikishmërinë e kancerit të lëkurës, shkaktarët kryesor dhe mënyren e parandalimit të tij.
Dr. Morina flet edhe për rrezikun e përdorimit të solariumit. Sipas tij, ai është një nga faktorët e rrezikut për kancerin e lëkurës (melanomën) sidomos te personat me nishane të shumta.
– Çfarë është kanceri i lëkurës dhe sa është i rrezikshëm?
Dr. Morina: Kanceri i lëkurës paraqet rritjen anormale të qelizave të lëkurës që ndodh për shkak të dëmtimit të ADN-së së qelizave kryesisht nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit ultravjollcë (UV) por edhe faktorëve tjerë fizik, kimik dhe biologjik (virusët). Rrezikshmëria e kancerit të lëkurës varet nga lloji i karcinomave.
Llojet më të zakonshme (kanceri bazal-qelizor i njohur si Bazalioma dhe skuamoz-qelizor -Spinalioma) kanë një diskurs më të ngadaltë dhe janë të trajtueshme. Megjithatë, Melanoma, një lloj më i rrallë, është shumë më agresive dhe mund të përhapet më shpejtë në organe të tjera, duke rritur kështu rrezikun për jetën e njeriut.
– Sa i zakonshëm është kanceri i lëkurës?
Dr. Morina: Shpeshtësia e paraqitjes së kancerit të lëkurës është në varshmëri nga lloji i karcinomës, kushtet socio-ekonomike, pozita gjeografike e banimit dhe në veçanti predispozita gjenetike. Karcinomat më të shpeshta dhe më të zakonshme të lëkurës janë Bazalioma dhe Spinalioma, ndërsa Melanoma, si kanceri më i rrezikshëm përbën rreth 1% të rasteve të kancerit të lëkurës, e njëherit konsiderohet të jetë përgjegjëse për shumicën e vdekjeve në botë.
Duhet theksuar se ekzistojnë edhe një numër i madh i prekancerozave (keratozat solare, cornu cutaneum, Morbus Bowen, Morbus Paget etj.) të cilat janë forma fillestare që u paraprijnë zhvillimit të karcinomave më të shpeshta të lëkurës.
– A është vetëm dielli faktor për zhvillimin e kancerit të lëkurës apo ka edhe faktorë të tjerë?
Dr. Morina: Megjithëse ekspozimi ndaj diellit dhe rrezatimi UV janë faktorët kryesorë, ka edhe faktorë të tjerë. Deri te zhvillimi i kancerit të lëkurës ka disa faktor si: predispozita gjenetike (familjare), teni i lëkurës (teni 1, 2 dhe 3: albinët, lëkura e bardhë dhe bjonde si dhe teni me ngjyrë të kuqërremtë), profesioni (punëtorët që merren me bujqësi, marinarët, punëtoret që u ekspozohen materieve kimike etj.).
Këtu përfshihen edhe përdorimi i solariumit, ekspozimi ndaj kimikateve të rrezikshme, dobësimi i sistemit imunitar.
Në disa raste ndodh që kanceri i lëkurës të shfaqet edhe në zona të lëkurës të cilat nuk kanë qenë të ekspozuara ndaj diellit.
– Cilat janë simptomat e kancerit të lëkurës?
Dr. Morina: Simptomatologjia është e ndryshme për individë të ndryshëm. Zakonisht përfshijnë ndryshime të pazakonshme në lëkurë, si njolla apo lezione që nuk shërohen, zakonisht njolla të kuqe, të errëta, apo nishane që ndryshojnë madhësi, formë apo ngjyrë. Melanoma shpesh duket si një nishan i ri ose një ndryshim i nishanit ekzistues, që ka një formë asimetrike, kufij të paqartë dhe ngjyra të ndryshme.
– Si diagnostikohet kanceri në lëkurë?
Dr. Morina: Kanceri i lëkurës diagnostikohet përmes ekzaminimit klinik dhe shpesh një biopsie, ku një mostër e qelizave merret për analizë mikroskopike. Dermatologët përdorin gjithashtu dermatoskopinë për të vlerësuar lezionet e dyshimta para se të kërkohen procedura përcjellëse.
– Kush është më i rrezikuar nga ky kancer?
Dr. Morina: Si faktor kryesor fillimisht konsiderohet të jetë trashëgimia. Njerëzit me një histori familjare të kancerit të lëkurës janë përgjithësisht në një rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjes.
Personat me lëkurë me ngjyrë më të hapur, ata që kanë ekspozim të madh ndaj diellit ose solariumit dhe individët me sistem imunitar të dobësuar janë më të rrezikuar. Gjithashtu, personat që kanë pësuar djegie nga dielli në fëmijëri kanë një rrezik më të lartë për shfaqje të problematikave të lëkurës më vonë me kalimin e kohës.
– Cilat janë mënyrat e trajtimit?
Dr. Morina: Trajtimi përfshin heqjen kirurgjikale të lezionit, krioterapi (terapi me azot të lëngët), radioterapi (terapi me rrezatim), imunoterapi për melanomën e avancuar dhe kimioterapi në raste më të rënda. Për melanomën, imunoterapia dhe terapitë e shënjestruara mund të ndihmojnë në trajtimin e rasteve të përparuara.
– Si mund të parandalohet?
Dr. Morina: Ekzistojnë këshilla të shumta se si të parandalohet shfaqja e kancerit të lëkurës. Kontrollat e shpeshta te dermatologu për personat e predispozuar, përdorimi i rregullt i kremrave me SPF, shmangia e ekspozimit në diell në orët kur dielli është më i fortë, mbajtja e veshjeve mbrojtëse dhe shmangia e përdorimit të solariumit te personat me numër të madh të nishaneve.
– A lejohet përdorimi i solariumit dhe sa është i rrezikshëm?
Dr. Morina: Solariumet janë pajisje të cilat emitojnë rreze UV kryesisht në formë të rrezeve UVA dhe UVB në mënyrë artificiale, me qëllim të provokimit të melanociteve (qelizave që prodhojnë pigment) për të nxitur ngjyrë më të theksuar të lëkurës. Solariumi është një nga faktorët e rrezikut për kancerin e lëkurës (melanomën) sidomos te personat me nishane të shumta. Këshillohet që personat të cilët frekuentojnë solariumet të kenë parasysh kohëzgjatjen e ekspozimit dhe nivelin e energjisë rrezatuese. Në bazë të rekomandimeve të shumta të ekspertëve profesionistë shëndetësor, nuk lejohet përdorimi i solariumeve për personat nën moshën 18 vjeç meqë konsiderohet një mënyrë e rrezikshme e nxirjes së lëkurës.
– Cila do të ishte këshilla juaj për mbrojtje të lëkurës?
Dr. Morina: Këshilla më e mirë është të evitojmë ekspozimin ndaj diellit në orët kur dielli ka rrezatim valor më të dëmshëm (intervali kohor 10:00-16:00), përdorimi i kremrave mbrojtës me SPF çdo ditë, të mbani veshje mbrojtëse, përdorimi i kremrave hidratues me antioksidantë që përmbajnë vitaminë C ose E të cilët ndihmojnë në reduktimin e dëmit nga dielli dhe mbrojnë lëkurën nga radikalet e lira.
Së fundmi rekomandohet të monitoroni lëkurën rregullisht, të bëni vetëkontrollë të lëkurës çdo muaj për të identifikuar nishane ose ndryshime të pazakonta dhe të bëni vizita të rregullta tek dermatologu për ekzaminime profesionale. /Gazeta Shneta/


