Në mbarë botën, mbi 55 milionë njerëz jetojnë me demencë, dhe ky numër pritet të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme. Një nga fushat ku studiuesit po përqendrohen është lidhja mes modeleve të gjumit dhe zhvillimit të demencës.
Një studim i fundit, i kryer tek gra mbi 80-vjeç, zbuloi se përgjumja e shtuar lidhet me një rrezik dukshëm më të lartë për shfaqjen e demencës, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se gratë që shfaqnin nivele më të larta përgjumjeje kishin dyfish më shumë gjasa të zhvillonin demencë gjatë pesë viteve të ardhshme, krahasuar me ato që kishin modele gjumi të qëndrueshme.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), faktorët që rrisin rrezikun për demencë përfshijnë mungesën e aktivitetit fizik, diabetin e pakontrolluar, hipertensionin, humbjen e dëgjimit, si dhe përdorimin e duhanit dhe alkoolit.
Në këtë kuadër, çrregullimet e gjumit po shihen gjithnjë e më shumë si një faktor që mund të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjes.
Megjithatë, studimet deri tani nuk japin një përgjigje të prerë mbi pyetjen nëse rrezikun e shton më shumë mungesa e gjumit apo gjumi i tepërt.
Kjo mbetet një fushë e hapur kërkimore, por gjetjet e reja theksojnë se ruajtja e modeleve të shëndetshme të gjumit mund të ketë një rol të rëndësishëm në parandalimin e demencës. /Gazeta Shneta/


