Një studim afatgjatë i zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar ka treguar se mënyra e të ushqyerit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin afatgjatë të të moshuarve, sidomos në rrezikun për fraktura dhe sëmundje kardiovaskulare.
Studimi filloi me pjesëmarrës rreth moshës 65-vjeç dhe i ndoqi ata për një periudhë prej 20 vitesh. Gjatë kësaj kohe, shkencëtarët vëzhguan lidhjen mes zakoneve ushqimore dhe problemeve serioze shëndetësore që shfaqen me moshën, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se ata që ushqeheshin më shëndetshëm kishin më pak gjasa të përjetonin fraktura kockash apo të vdisnin nga sëmundjet e zemrës.
Frakturat dhe problemet kardiake janë dy ndër sfidat kryesore shëndetësore në moshë të thyer.
Në veçanti, frakturat e ijeve shpesh shoqërohen me shkallë të lartë vdekshmërie, ndërsa sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekjeve tek të rriturit mbi 65 vjeç. Duke pasur parasysh këtë, studiuesit nga Universiteti i Southampton-it analizuan në detaje ndikimin e dietës në këto rreziqe, duke publikuar gjetjet e tyre në revistën “Frontiers in Aging”.
Pas dy dekadash vëzhgimi, ata zbuluan se një dietë e balancuar, e pasur me fruta, perime, peshk dhe drithëra integrale, shoqërohej me përfitime të dukshme për shëndetin e kockave dhe zemrës.
Ky studim thekson se ushqyerja e shëndetshme nuk është thjesht një zgjedhje e përditshme, por një faktor vendimtar për jetëgjatësinë dhe parandalimin e sëmundjeve serioze në pleqëri. /Gazeta Shneta/


