Një studim i publikuar në revistën “Circulation”, zbulon se gratë që kanë përjetuar përndjekje sistematike si pasojë e dhunës dhe kërcënimeve kanë rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare dhe goditje në tru.
Studimi ndoqi mbi 66,000 gra për 20 vite dhe gjeti se ato që kishin raportuar këtë formë dhune nga partnerë aktualë, ish-partnerë ose persona të tjerë kishin 41% më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje të zemrës krahasuar me ato që nuk kishin përjetuar situata të tilla, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Rreziku ishte edhe më i madh – 70% më i lartë – për gratë që kishin marrë urdhër mbrojtjeje.
Profesorja Karestan Koenen nga Universiteti i Harvardit thekson se ndonëse shpesh nuk përfshin kontakt fizik, përndjekja sistematike ka pasoja të thella psikologjike që ndikojnë në shëndetin fizik.
Sipas të dhënave të CDC, një në tre gra dhe një në gjashtë burra përjetojnë këtë formë dhune gjatë jetës.
Në BE, kjo shifër arrin 18.5%, duke variuar nga 8.5% në Lituani deri në 32.4% në Sllovaki.
Përndjekja sistematike mund të përfshijë sjellje të përsëritura të padëshiruara si ndjekje fizike, vëzhgim, vizita të paftuara ose ngacmim online.
Në këtë studim, rreth 12% e grave raportuan përndjekje sistematike dhe 6% kishin marrë urdhër mbrojtjeje.
Brenda 20 viteve, 3% zhvilluan sëmundje kardiovaskulare, me rrezik dukshëm më të lartë tek ato të prekura.
Autorët sugjerojnë se stresi psikologjik mund të dëmtojë sistemin nervor dhe funksionimin e enëve të gjakut.
Studimi bën thirrje për skrining dhe mbështetje më të mirë në shëndetësi, si dhe politika më të forta për parandalimin e dhunës ndaj grave. /Gazeta Shneta/


