Një përplasje ndërmjet shefit të repartit të Gjinekologjisë dhe një familjari ka ndodhur sot në Spitalin e Vushtrrisë.
Për këtë rast Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka kërkuar nga menaxhmenti i Spitalit Regjional të Vushtrrisë të ndërmerren masat urgjente, konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi.
“Në lidhje me videot që po qarkullojnë në rrjete sociale, ku në komunikim me familjarët e pacientëve është i përfshirë një mjek i Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, i cili komunikon me arrogancë me palët, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron se ka kërkuar urgjentisht nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë, të trajtojë rastin dhe të merren masa urgjente, konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagimin e ShSKUK-së.
ShSKUK, gjithashtu ka potencuar se në vazhdimësi përmes shkresave dhe Qarkoreve Informative, ka kërkuar nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, që në baza të rregullta, pacientëve që marrin trajtim shëndetësorë, por edhe familjarëve të autorizuar, t’u jepen informata nga mjekët, shefat e reparteve dhe nëse ka nevojë edhe nga drejtorët e klinikave-spitaleve të përgjithshme./Gazeta Shneta/
Përplaset shefi i repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë me një familjar – VIDEO




