Kolla e mirë, e njohur edhe si pertusis apo “kolla 100-ditore”, po përhapet me shpejtësi në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, duke kaluar nivelet e para pandemisë.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), vetëm në vitin 2023 u regjistruan mbi 25,000 raste në BE/EEA, ndërsa tremujori i parë i vitit 2024 solli mbi 32,000 raste të reja, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Tek të rriturit dhe fëmijët më të mëdhenj, pertusisi shkakton kollë të vazhdueshme që zgjat javë apo muaj. Por për bebet nën dy muaj, që ende nuk mund të vaksinohen, infeksioni është veçanërisht i rrezikshëm dhe mund të çojë në apnea (ndërprerje frymëmarrjeje) apo komplikacione të rënda.
Rritja e rasteve lidhet me “rikthimin pas pandemisë”. Gjatë COVID-19, përdorimi i maskave dhe mbyllja e shkollave reduktuan përhapjen e infeksioneve respiratore.
Tani, me heqjen e kufizimeve, sëmundjet po qarkullojnë më gjerësisht. Për më tepër, pertusisi shfaq cikle epidemike natyrale çdo tre deri në pesë vjet, edhe në vendet me mbulim të lartë vaksinimi.
Ekspertët theksojnë se vaksinimi i grave gjatë shtatzënisë është mënyra më efektive për të mbrojtur të porsalindurit.
Antitrupat që kalojnë përmes placentës mbrojnë foshnjat në javët e para të jetës, duke ulur deri në 85% rrezikun e komplikacioneve.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë vaksinimin e nënave midis javës së 27-të dhe 36-të të shtatzënisë, si dhe skemën e rregullt të vaksinimit për fëmijët (DTaP).
Statistikat tregojnë se më shumë se gjysma e fëmijëve e marrin kollën e mirë nga prindërit e tyre. /Gazeta Shneta/


