Qoftë duke iu përgjigjur email-eve apo duke zhvilluar video-thirrje, një pjesë e madhe e jetës në zyrë kalon ulur në karrige.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se qëndrimi i zgjatur ulur dëmton shëndetin. Mes tjerash, mund të rrisë rrezikun për mbipeshë, sëmundje të zemrës dhe diabet të tipit 2, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse dihet se pushimet nga ekrani janë të dobishme, ende nuk ka qenë e qartë sa shpesh duhet të ngrihen punonjësit dhe të lëvizin pa ndikuar negativisht në produktivitetin e tyre.
Një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore “British Journal of Sports Medicine”, ka zbuluar se pushimet pesëminutëshe për ecje çdo orë janë mënyra më efektive dhe më e realizueshme për të përmirësuar mirëqenien pa ulur efikasitetin në punë.
Studiuesi kryesor, Keith Diaz, tha se shumica e të rriturve sot kalojnë rreth tre të katërtat e kohës kur janë zgjuar në aktivitete sedentare. Sipas tij, këshilla e përgjithshme për të “qëndruar më pak ulur dhe për të lëvizur më shumë” është e saktë, por njerëzit kanë nevojë për udhëzime më konkrete.
Studimi i Universitetit Kolumbia përfshiu mbi 11 mijë punonjës amerikanë. Rezultatet treguan se një shëtitje pesëminutëshe çdo orë solli përmirësimin më të madh në humor, energji, vigjilencë dhe produktivitet. Ecja çdo gjysmë ore ishte e dobishme, por shpesh ndërpriste ritmin e punës, ndërsa ecja çdo dy orë kishte ndikim më të kufizuar.
Diaz theksoi se këto pushime mund të përmirësojnë përqendrimin, kujtesën dhe aftësinë për të kryer detyra, duke i bërë punonjësit të ndihen më të çlodhur dhe më të freskët.
Edhe ekspertët e shëndetit të zemrës e kanë mirëpritur studimin, por kanë theksuar se nevojiten kërkime afatgjata për të konfirmuar ndikimin e tij në shëndetin kardiovaskular. /Gazeta Shneta/


