Një ilaç i ri oral për humbje peshe, i quajtur orforglipron, ka treguar rezultate premtuese në provat klinike, duke ndihmuar pacientët të humbin deri në 8 për qind të peshës trupore. Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore “The Lancet”, kjo pilulë rezultoi më efektive se alternativa aktuale orale me semaglutid.
Me rritjen e kërkesës për trajtime kundër obezitetit, kompanitë farmaceutike po garojnë për të zhvilluar ilaçe më efikase dhe më të lehta për t’u përdorur.
Aktualisht, trajtimet më të njohura për humbje peshe janë injeksionet e grupit GLP-1, si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro. Megjithatë, prodhuesit po punojnë për alternativa në formë pilule që ofrojnë më shumë komoditet për pacientët.
Orforglipron është një pilulë që merret çdo ditë dhe nuk kërkon kufizime për ushqimin ose ujin.
Ky ilaç është zhvilluar nga kompania farmaceutike Eli Lilly dhe synon të konkurrojë me kompaninë Novo Nordisk, e cila aktualisht ka autorizimin për pilulën e vetme orale GLP-1 në treg.
Studimi përfshiu më shumë se 1,600 pjesëmarrës nga mbi 130 qendra kërkimore në pesë vende. Të gjithë pjesëmarrësit kishin diabet të tipit 2 dhe u ndanë në grupe që morën doza të ndryshme të orforglipronit ose semaglutidit për një periudhë njëvjeçare.
Rezultatet treguan se rreth 28 deri në 44 përqind e pjesëmarrësve në orforglipron humbën 10 përqind ose më shumë të peshës së tyre trupore, krahasuar me 13 deri në 21 përqind në semaglutide.
Për pacientët me diabet të tipit 2, një humbje peshe prej 5-10 përqind mund të përmirësojë metabolizmin e sheqerit në gjak. Uljet më të mëdha mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të komplikacioneve të diabetit, vuri në dukje studimi.
Orforgliproni gjithashtu uli nivelet e sheqerit në gjak në mënyrë më efektive sesa semaglutidi.
Megjithatë, studiuesit vunë re edhe më shumë efekte anësore, veçanërisht probleme gastrointestinale, që bënë që rreth 9–10 për qind e pjesëmarrësve të ndërpresin trajtimin. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se duhen studime më afatgjata për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e plotë të këtij ilaçi. /Gazeta Shneta/


