Një studim i ri shkencor ka zbuluar se njerëzit që ndjekin dieta vegjetariane kanë rrezik më të ulët për disa lloje të zakonshme të kancerit. Hulumtimi i publikuar në “British Journal of Cancer”, është studimi më i madh deri më tani që analizon lidhjen mes dietave pa mish dhe rrezikut për kancer.
Studiues nga njësia e epidemiologjisë së kancerit në “Oxford Population Health”, analizuan të dhëna nga rreth 1.8 milionë njerëz në tre kontinente. Sipas tyre, personat që nuk konsumojnë mish kanë rrezik më të ulët për kancer të gjirit, prostatës, veshkave dhe pankreasit, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet tregojnë se vegjetarianët kishin 31 për qind rrezik më të ulët për mielomë të shumëfishtë, 28 për qind më pak rrezik për kancer të veshkave dhe 21 për qind më pak rrezik për kancer të pankreasit. Po ashtu, rreziku për kancer të prostatës ishte 12 për qind më i ulët, ndërsa për kancer të gjirit rreth 9 për qind më i ulët krahasuar me ata që konsumojnë mish.
Megjithatë, studimi vuri re edhe një rritje të rrezikut për karcinomën skuamoze të ezofagut, një nga format më të zakonshme të kancerit të këtij organi.
Pjesëmarrësit u ndanë sipas llojit të dietës: veganë, vegjetarianë, pescatarianë (që konsumojnë peshk), konsumues të mishit dhe persona që hanë vetëm shpendë. Ata u ndoqën mesatarisht për 16 vjet.
Studiuesit theksojnë se dietat vegjetariane dhe vegane, kur planifikohen mirë, mund të jenë të shëndetshme dhe të balancuara. Zakonisht ato përmbajnë më shumë fruta, perime dhe fibra, por mund të kenë më pak disa lëndë ushqyese si proteina dhe vitamina B12.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se jo të gjitha dietat vegjetariane janë njësoj dhe rezultatet duhet të interpretohen me kujdes, pasi mënyrat e të ushqyerit ndryshojnë nga vendi në vend. /Gazeta Shneta/


