Një studim i ri sugjeron se përdorimi i pilulave kontraceptive mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut për zhvillimin e kancerit të vezoreve, një sëmundje shpesh e njohur si “vrasësi i heshtur” për shkak të mungesës së simptomave deri në faza të avancuara, kur trajtimi bëhet më i vështirë.
Hulumtuesit përdorën inteligjencën artificiale për të ndjekur rreth 3,000 faktorë të mundshëm rreziku tek mbi 220,000 gra të shëndetshme. Gjatë një periudhe monitorimi mbi 12 vjet, rreth 1,400 prej tyre zhvilluan kancer të vezoreve shkruan HealthDay transmeton GazetaShneta.
Rezultatet treguan se gratë që kishin përdorur ndonjëherë pilulën kontraceptive ishin 26% më pak të rrezikuara nga diagnostikimi me këtë lloj kanceri. Ndërsa gratë që e kishin përdorur atë pas moshës 45 vjeç ishin 43% më pak të rrezikuara.
Faktorë të tjerë që lidhen me një rrezik më të ulët për këtë sëmundje përfshinin peshën më të ulët trupore, gjatësinë më të shkurtër dhe lindjen e dy ose më shumë fëmijëve.
Autorët e studimit theksojnë se “ky studim tregon se disa faktorë rreziku për kancerin e vezoreve mund të modifikohen,” duke sugjeruar se reduktimi i peshës dhe ndërhyrjet për të ulur numrin e ovulacioneve mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes në të ardhmen.
Për më tepër, studiuesit identifikuan biomarkues të gjakut të lidhur me këtë kancer vite përpara diagnostikimit, duke hapur rrugën për zhvillimin e testeve që mund të zbulojnë rrezikun në faza shumë të hershme./GazetaShneta/


