Pirja e duhanit nuk dëmton vetëm mushkëritë dhe zemrën, por edhe sytë, duke rritur rrezikun për humbje të pakthyeshme të shikimit.
Kimikatet toksike në tymin e cigareve hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe dëmtojnë pjesë të ndjeshme të syrit si retina, lentja dhe makula. Kjo rrit mundësinë për zhvillimin e sëmundjeve si degjenerimi makular dhe glaukoma, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Nikotina gjithashtu rrit tensionin e gjakut dhe ngushton enët e vogla të gjakut në sy, duke shkaktuar grumbullim lëngjesh dhe dëmtim të nervit optik.
Edhe pas ndërprerjes së duhanit, disa dëmtime në retinë mund të mbeten, duke rritur rrezikun për përkeqësim të mëtejshëm të shikimit.
Edhe ekspozimi ndaj tymit pasiv është i rrezikshëm. Ai mund të irritojë sytë tek fëmijët dhe të ndikojë në zhvillimin normal të strukturave të syrit. Pirja e duhanit gjatë shtatzënisë rrit rrezikun për probleme të shikimit tek foshnjat, përfshirë dëmtime të nervit optik.
Cigaret elektronike nuk janë pa rrezik.
Ato mund të shkaktojnë tharje të syve dhe inflamacion, megjithëse efektet afatgjata ende nuk janë plotësisht të qarta.
Studimet sugjerojnë se edhe këto produkte mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e syve.
Mënyra më efektive për të mbrojtur shikimin është ndërprerja e duhanit.
Kontrollet e rregullta te oftamologu dhe një dietë e pasur me antioksidantë mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të syve dhe në zbulimin e hershëm të problemeve. /Gazeta Shneta/


