Komisioni Evropian nuk pritet të paraqesë propozimin e tyre për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së deri në qershor, por planet e hershme të zbuluara nga Euronews që sugjerojnë se pjesa shëndetësore mund të shkrihet, kanë shkaktuar shqetësime brenda sektorit.
Në përgjigje të pandemisë COVID-19, vendet anëtare të BE-së ndanë 5.3 miliardë euro në kuadër të programit EU4Health, një hap i rëndësishëm duke pasur parasysh që politika shëndetësore konsiderohet kryesisht një kompetencë kombëtare, transmeton Gazeta Shneta.
Drafti i zbuluar i një plani ristrukturimi të buxhetit të BE-së, i parë nga Euronews, sugjeron se financimi i shëndetësisë mund të konsolidohet në një Fond të vetëm Evropian të Konkurrueshmërisë, i krijuar për të rritur autonominë dhe vlerat strategjike të bllokut.
Ristrukturimi – i cili është diskutuar më gjerësisht në shërbimin buxhetor të Komisionit që nga janari – synon të adresojë mungesën e perceptuar të drejtimit strategjik duke i dhënë përparësi politikave mbi programet specifike.
Eurodeputetja Tilly Metz, shprehu shqetësime se bashkimi i fondeve shëndetësore në një fond më të gjerë konkurrence rrit rrezikun, tashmë të përjetuar në të kaluarën e afërt, të “zhvendosjes së burimeve nga shëndetësia për qëllime të tjera”.
Ky shqetësim është i rrënjosur në shkurtimet e fundit të buxhetit, si rialokimi i afërsisht 1 miliard euro nga EU4Health për të financuar pjesërisht paketën e ndihmës së Ukrainës në shkurt.
Metz paralajmëroi gjithashtu se zhvendosja drejt një fondi të fokusuar në konkurrencë mund të dëmtojë iniciativat afatgjata shëndetësore.
“Shëndeti nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin e ilaçeve novatore; ka të bëjë edhe me shëndetin publik, parandalimin dhe ndërgjegjësimin”, tha ajo, duke theksuar se këto fusha jetike mund të neglizhohen në favor të prioriteteve ekonomike. /Gazeta Shneta/




