Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka nxjerr aktvendimin për Statutin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar. Nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë pranuar të komentojnë, por në komenetet që i kanë dërguar në Kushtetuese, i kanë mohuar se ky dokument i cënon të drejtat e qytetarëve për shërbime shëndetësore. Gazeta ka mësuar se ndërkohë është propozuar edhe një draft i ri ku ndryshohet neni 11, i cili është kontestuar më së shumti.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar është bërë me Statut të ri në fillim të këtij viti të miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti. Por, ky statut i nënshkruar nga kryeministri është kontestuar dhe mund të përbëjë shkelje kushtetuese, shkruan Gazeta Shneta.
Statuti është kontestuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, përmes Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese.
Statuti i ri i SHSKUK-së në Nenin 11 ka përcaktuar organizimin e shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme. Në këtë nen janë përcaktuar pesë shërbime: Kirurgji e përgjithshme, Interno, Pediatri, Gjinekologji me obstetrikë dhe Emergjenca mjekësore.
Megjithëse në pikën dy të këtij neni, spitalet e përgjithshme mund të ofrojnë edhe shërbime tjera me miratim nga Bordi Drejtues i SHSKUK-së, në kërkesën për vlerësimin e kushtetueshmërisë thuhet se qytetarët do të detyrohen t’i marrin shërbimet tjera vetëm në QKUK ose t’i drejtohen institucioneve private.
“Në raste të tilla sikurse këto në nenin 11, paragrafi 1, të aktit të kontestuar i detyrojnë qytetarët të cilët kanë nevojë për shërbime shëndetësore, ato do t’i kërkojnë në QKUK në Prishtinë, apo t’u drejtohen institucioneve private shëndetësore që i ofrojnë shërbimet e caktuara shëndetësore. Prandaj një situatë e tillë e krijuar me nenin 11 të aktit të kontestuar, krijon situatë të pabarazisë edhe në kuptimin e llojit të shërbimit shëndetësor që ofrohet, sepse shërbimet shëndetësore që kanë qenë të pranishme në spitalet e përgjithshme para hyrjes në fuqi të aktit të kontestuar, pas hyrjes së tij në fuqi ato mund të merren vetëm në institucionet tjera, siç është QKUK-ja, apo subjektet private shëndetësore”, thuhet në kërkesën drejtuar Kushtetueses.
Këto pretendime janë mohuar nga Qeveria në komentet që i kanë dërguar Gjykatës Kushtetuese. Aty thuhet se e gjithë përmbajtja e Statutit është në përputhje me legjislacionin që lidhet me shëndetin dhe shëndetësinë.
“Poashtu asnjë nen i Statutit nuk parashikon mbylljen e shërbimeve apo pakësimin e tyre, i cili është edhe argumenti kyç i parashtruesit të kësaj kërkese si cënim i barazisë para ligjit. Ky është një konstatim i paqëndrueshëm por edhe plotësisht i pasaktë”, thuhet në komentet e Qeverisë.
Madje tutje në komentet nga Qeveria pretendohet se iniciuesit e rastit tek Avokati i Popullit mund të mos e kenë kuptuar mjaftueshëm statutin dhe dispozitat e nenit 11.
Gazeta ka kontaktuar me Qeverinë e Kosovës, konkretisht Zyrën e Kryeministrit, por të njëjtit nuk i kanë kthyer përgjigje Gazetës përmes emailit.
Gazeta ka mësuar se derisa Statuti është ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, ndërkohë jozyrtarisht është propozuar një draft të ri ku do të ndryshohet Neni 11.
Në këtë draft të cilin e ka parë Gazeta, Paragrafi 3 i nenit 11 të Statutit bazë ndryshohet dhe plotësohet si në vijim: “3. Përveç, shërbimeve shëndetësore të përcaktuara si në paragrafin 1 të këtij neni, Spitalet e Përgjithshme që përcaktohen si Qendra të specializuara mund të ofrojnë edhe shërbime të tjera shëndetësore terciare brenda zonës së përgjegjësisë e cila përcaktohet dhe miratohet nga Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës”, thuhet në këtë draft. Gazeta ka mësuar se ky draft është prezantuar jozyrtarisht edhe tek Avokati i Popullit.
Ndryshe nëse pezullohet ky akt i SHSKUK-së, do të jetë dokumenti i dytë që pezullohet nga organet e drejtësisë. Kujtojmë se ditë më parë Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore për pezullimin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, meqë e njëjta u kontestua përmes një padie nga zyrtarë të spitaleve të përgjithshme. /Gazeta Shneta/



