Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbardhur lidhjen mes dy kërcënimeve të rreme për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke bërë të ditur se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi.
Sipas policisë, më 30 qershor 2026, rreth orës 07:48, Qendra Operative ka pranuar një telefonatë në gjuhën serbe, ku pretendohej në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve ishte vendosur një mjet shpërthyes.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë evakuuar qytetarët, kanë siguruar perimetrin dhe kanë nisur kontrollet në bashkëpunim me Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, Njësinë K9, hetuesit policorë, zjarrfikësit, autoambulancën dhe Drejtorinë e Emergjencave të Komunës së Prishtinës.
Pas kontrollit të detajuar, nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes dhe Stacioni i Autobusëve është rihapur për funksionim normal.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Policia ka bërë të ditur se ky rast lidhet drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të 22 qershorit 2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt.
Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të dy telefonatat janë kryer nga i njëjti numër telefonik në Serbi. Gjithashtu, janë siguruar prova dhe të dhëna elektronike që ndërlidhin të dy rastet dhe tashmë janë pjesë e procedurës hetimore.
Policia e Kosovës thekson se disponon kapacitete të avancuara profesionale dhe teknike për hetimin e krimeve kibernetike dhe gjurmimin e komunikimeve kriminale, duke nënvizuar se autorët e telefonatave anonime apo profileve të rreme identifikohen, pavarësisht se veprojnë nga jashtë vendit.
Në fund, Policia ka bërë të ditur se do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë personat që cenojnë sigurinë publike, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave dhe të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare

