Profesori i mjekësisë, dyshime për avancim me plagjiaturë e falsifikim

2017-04-17 në ora 15:24

Albena Reshitaj, asistente në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, po e akuzon profesorin e saj Milaim Sejdini që ia përvetësoi një punim shkencor.

Të njëjtin, pasi e përvetësoi, sipas asistentes Reshitaj, profesori e përdori për t’u avancuar në profesor të asocuar.

Prej ditës së përvetësimit të punimit shkencor e deri te pranimi i fajit nga profesori, kanë kaluar plot tre vjet, gjatë të cilëve asistentja Reshitaj kishte bërë shumë mund për të gjetur fillimisht e më vonë edhe për të faktuar që ajo ishte autore e parë e punimit shkencor që u publikua në një revistë shkencore në Bosnjë e Hercegovinë, shkruan kallxo.com

Albena Reshitaj ishte asistente e profesorit Milaim Sejdini në Universitetin e Prishtinës. Ajo në pranverën e vitit 2013, ishte në përgatitje të temës së doktoratës me titull “Prevalenca e Hipodoncionit, Karakteristikat dhe Lidhmëria e tij me Anomalitë e tjera Dentare në Grupmoshat 12- 16 Vjeç në Kosovë”. Derisa ishte në përgatitje të punimit, ajo thotë se morr sugjerime nga profesori Sejdini për publikim të këtij punimi shkencor.

“Kur unë isha në fazën e përgatitjes së punimeve shkencore të nxjerra nga materiali i tezës së doktoratës sime, profesor Milaim Sejdini më kishte propozuar që ta dërgoj një nga punimet në një revistë shkencore të quajtur ‘Bilten Stomatologia BiH’”, tha Albena Reshitaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Transporti si kontribut shkencor

Ajo tregon se profesori e kishte kushtëzuar ndihmën e tij për publikim të punimit me përfshirjen e emrit të tij si një nga autorët e punimit, edhe pse nuk kishte kontribuuar fare në bërjen e tij. Sipas saj, kontributi i vetëm i profesorit Sejdini në punim ishte transporti i punimit nga Kosova në Bosnjë e Hercegovinë, në zyrë të redaksisë së revistës shkencore.

“Profesor Milaim Sejdini dhe kolegët e tjerë kurrë nuk më kanë ndihmuar asgjë në punimin tim. Asnjë pikë se ka vënë në punimin tim. Për këtë rast profesor Milaim Sejdini më ka bërë presion më shumë për t’ia qitur emrin si bashkëpunëtor i dytë në punimin tim”, tha Reshitaj.

Por, profesori Milaim Sejdini thotë se ka qenë dëshira e asistentes Reshitaj që emri i tij të figurojë në punimin shkencor.

“Për atë duhet ta pyetni atë. Le të më tregojë ajo mua se kush e ka detyruar të më vejë mua si emër, kush? Askush. Ka qenë dëshira e saj. Ajo pa më pyetur më ka shti si autor në punim”, tha Sejdini.

Në anën tjetër, Reshitaj thotë se ndihma për të publikuar punimin në revistën shkencore ishte kushtëzuar nga profesor Sejdini me vendosjen e emrit të tij si bashkëpunëtor në këtë punim shkencor.

Ajo kishte pranuar që ta fuste Sejdinin në punim si bashkautor. Thotë se profesor Sejdinin e kishte futur si autor të tretë të këtij punimi që duhej të publikohej në revistën shkencore në Bosnjë.

“Më datën 3 maj 2013 unë i kam dërguar profesor Milaim Sejdinit punimin e përgatitur për shtyp në mënyrë elektronike duke e vendosur emrin e tij të tretin me radhë të bashkautorëve”, deklaroi Reshitaj.

Asistentja thotë se Sejdini e kishte kryer obligimin që kishte marrë, publikimin e punimit në revistën shkencore. Profesori ishte kthyer me një dëshmi se punimi i saj do të publikohej.

“Pas një muaji profesor Sejdini më ka sjellë në zyrën time një vërtetim në kopje të datës 13 qershor 2013 me të cilin është vërtetuar se punimi shkencor ishte pranuar për botim dhe se unë ass. Albena Reshitaj figuroja si autore e parë e këtij punimi”, tregoi Reshitaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ky vërtetim e kishte bindur atë se gjithçka ishte në rregull me publikimin e punimit të saj shkencor.

E Sejdini tash thotë se ai vërtetim të cilin e posedon edhe asistentja Reshitaj është dëshmi se ai nuk e ka përvetësuar punimin.

“Unë nuk kam marrë asnjë punim, kjo është një gënjeshtër jo 100 për qind, por 1000 për qind. Edhe unë dua të di se çka ka ndodhur, jam më i interesuar se ajo”, tha profesor Sejdini

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.