Një program gjithëpërfshirës i stilit të jetesës që përfshin aktivitet fizik, ushqyerje të shëndetshme, sfida njohëse dhe sociale, si dhe udhëzim shëndetësor ka treguar përmirësime të ndjeshme në funksionin njohës të të moshuarve në rrezik për sëmundjen e Alzheimerit dhe forma të tjera të demencës.
Ky përfundim vjen nga studimi i madh amerikan “POINTER”, i cili zgjati dy vjet dhe nuk përfshiu përdorimin e barnave, por u fokusua ekskluzivisht në ndërhyrjet në stilin e jetesës, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Në studim morën pjesë 2,111 të moshuar, të ndarë në dy grupe: njëri ndoqi një program të strukturuar, ndërsa tjetri një qasje vetë-udhëzuese. Të dy grupet shënuan përmirësime, por pjesëmarrësit në programin e strukturuar arritën rezultate dukshëm më të mira.
Ky program përfshinte 38 takime ekipore, ku fokusi ishte te edukimi, vendosja e objektivave dhe monitorimi i zbatimit të planit.
Dr. Heather Snyder nga Shoqata e Alzheimerit theksoi rëndësinë e këtij studimi, duke nënvizuar se mbi 30% e pjesëmarrësve i përkisnin grupeve që zakonisht janë të nën-përfaqësuara në kërkimet për demencën.
Ekspertët vlerësojnë se mbështetja dhe struktura janë elemente kyçe për suksesin e ndërhyrjeve.
Ndihma nga trajnerët dhe ndjekja e vazhdueshme mjekësore ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e rezultateve dhe në parandalimin e rënies njohëse.
Studimi konfirmon se qasjet e organizuara dhe të udhëhequra janë më efektive sesa vetë-menaxhimi. /Gazeta Shneta/


