Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani udhëhoqi sot takimin e Komitetit Drejtues të Projektit: “Përmirësimi i Shëndetit të Grave dhe fëmijëve në Kosovë 2012-2016”, që është realizuar nga MSH, në bashkëpunim me tri agjensionet e Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë: OBSH, UNFPA dhe UNICEF, dhe me mbështetjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut.
Në këtë takim, sipas njoftimit, u bë vlerësimi i progresit të përbashkët në përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve të arritur përmes aktiviteteve të përbashkëta katërvjeçare të kryera në Kosovë, sfidat, mësimet e nxjerra nga ky projekt dhe mundësitë e reja që ka gjeneruar ky projekt për përmirësime të mëtejme në këtë fushë.
Rrahmani citohet të ketë thënë se shëndeti i nënës dhe fëmijëve është një prioritet i lartë në politikat e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa realizimi i këtij projekti dhe të tjerat që janë në vijim përfshirë edhe spitalin kirurgjik pediatrik që do të ndërtohet, fuqizimin e shërbimeve të neonatologjisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve…, do të mundësojnë që indikatorët që lidhen me shëndetin e nënës dhe fëmijës të përmirësohen në vazhdimësi.
Ai falënderoi Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen financiare të projektit, ndërsa theksoi se MSh-ja do të jetë e gatshme që, bazuar mbi këtë model të funksionimit të projektit, të zhvillohen edhe projekte të tjera më agjensionet e KB në Kosovë.
Pas një prezantimi të rezultateve të progresit që e ka bërë dr. Lul Raka (IKSHP) në të cilin vlerësim ka punuar me Sam Clark (SHBA), ku përveç sukseseve janë prezantuar edhe sfidat, ku spikat nevoja e fuqizimit të kapaciteteve vendore në këtë fushë dhe monitorimi i cilësisë së shërbimeve, Ambasadorja e Luksemburgut, znj. Anne Dostert, koordinatori i OKB-së për zhvillim dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, z. Andrew Russell, shefi i UNICEF-it në z. Brandao Co, udhëheqësja e Zyrës së UNFPA, znj. Visare Mujko-Nimani, etj., i kanë dhënë nota të larta projektit dhe janë zotuat se ky model i bashkëpunimit si në fushën e shëndetit të grave dhe fëmijëve, do t’u shërbejë atyre dhe MSh-së edhe në zbatimin e projekteve të reja, ku përfitues do të jenë qytetarët e Kosovës.