Pse kafshojnë fëmijët dhe si t’i parandaloni?
Fëmijët e moshës 2-vjeçare shpesh kur janë të mërzitur, të acaruar ose kur duan të shprehin dashurinë ndaj njëri-tjetrit, reagojnë duke kafshuar. Kjo mund të jetë tronditëse për ju të shikoni se fëmijën tuaj e ka kafshuar dikush, ose vetë fëmija juaj ka kafshuar dikë.
Si të silleni në këtë situatë?
Sigurohuni që të dy fëmijët të jenë të sigurtë
Pasi ka ndodhur një situatë tensioni dhe njëri prej tyre është kafshuar, sigurohuni që nuk do të ndodhë për pak sekonda sërish. Mbajini larg njëri-tjetrit derisa të qetësohen.
Mos fajësoni ose ndëshkoni askënd
Nëse e fajësoni fëmijën, mund t’i nxisni agresivitet. Është mirë që të mos e bëni diçka të tillë, të paktën në momentin kur ka ndodhur incidenti.
Ndihmoni viktimën
Fëmija që është kafshuar ka nevojë për ndihmën tuaj. Së pari ju do të duhet të kontrolloni dëmin, sepse mund të nevojitet kujdes mjekësor.
Flisni për atë që ka ndodhur
Shpjegojini fëmijës se ka mënyra të tjera të të reaguarit kur duan të arijnë diçka, ose kur ju bëjnë një padrejtësi. Kafshimi nuk është zgjidhje.
Si ta parandaloni në të ardhmen?
Tregohuni vigjilentë ndaj sjelljes së fëmijës
Nëse fëmija juaj qan, ulëret, përplas këmbët, ka shumë mundësi që veprimi i radhës të jetë kafshimi. Qëndroni vigjilentë për ta parandaluar.
Asnjëherë mos e kafshoni fëmijën
Kafshimi nga ana juaj nuk është mënyra e duhur për ta ndëshkuar fëmijën apo për ta bërë të kuptojë. Asnjëherë mos e bëni këtë veprim.
Nxiteni të vijë tek ju kur diçka nuk shkon
Nëse fëmija nuk është në gjendje ta zgjidhë vetë situatën, nxiteni t’ju kërkojë ndihmë juve, edukatores ose një të rrituri që ka pranë.


