Faza e pubertetit për vajzat është llogaritur ajo nga mosha 9 deri në 13 vjeç, ndërsa djemtë nga mosha 10 deri në 16 vjeç. Por ky përkufizim gradualisht po përmbyset.
Sipas studimeve të fundit, rezulton se si vajzat ashtu edhe djemtë nisin të zhvillohen seksualisht 6 muaj deri në 2 vjet më herët sesa thonë studimet tradicionale të mjekësisë.
Ka shume arsye që kane ndikuar në uljen e kufirit të fillimit të moshës së pubertetit. Nga studimi rezulton se mjedisi ka një rol ndikues në përshpejtimin e kësaj faze.
Por, faktorët që rrisin mundësinë e një puberteti të hershëm duket se janë më të shumtë. Ndër to, studiuesit e shëndetit publik radhisin ushqimet e përpunuara dhe me hormone dhe ekspozimin ndaj kimikateve në mjedis.
Mbase nuk ju ka shkuar ndër mend, por edhe ekspozimi ndaj dritës artificiale, kryesisht ekranet e televizorëve apo kompjuterëve ndikojnë në përshpejtimin e rritjes se fëmijëve dhe fillimin më të hershëm të fazës së formimit seksual.
Mesatarisht, puberteti zgjat 8 vjet dhe manifestohet me ndryshime të dukshme fizike, por edhe emocionale.
Ne rastin e vajzave, shenjat e ndryshimeve fiziologjike janë më të dallueshme. Ato më shumë sesa djemtë shfaqin ndryshim të gjendjes emocionale, të të ushqyerit, sjelljes dhe edhe dukjes.
Të gjithë këta faktorë, duhet t’i bëjnë prindërit të jenë të vetëdijshëm se fëmijët e tyre mund të preken nga puberteti më shpejt sesa ata e mendojnë, kështu që duhet të jenë të përgatitur t’iu shpjegojnë fëmijëve ndryshimet që po kalojnë. Madje, edhe ata vetë duhet të përgatisin veten për këtë fakt.