Studiuesit kanë vërejtur prej vitesh se fëmijët po hyjnë në pubertet më herët sesa brezat e mëparshëm, por arsyet e sakta mbeten ende të paqarta.
Ky fenomen vihet re veçanërisht tek vajzat, të cilat po preken më shpesh nga puberteti i hershëm, një zhvillim që mund të ketë pasoja serioze afatgjata për shëndetin, shkruan Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Mesatarisht, vajzat fillojnë pubertetin rreth moshës 11 vjeç, ndërsa djemtë rreth 12 vjeç.
Megjithatë, nëse vajzat hyjnë në pubertet para moshës 7 vjeç ose djemtë para moshës 8 vjeç, kjo konsiderohet pubertet i parakohshëm. Ky gjendje lidhet me rrezik më të lartë për obezitet, diabet, probleme të shëndetit mendor dhe tek vajzat edhe për kancer të gjirit.
Fillimisht, në vitet 1990, puberteti i hershëm u vu re kryesisht tek vajzat amerikane dhe u lidh me epideminë e obezitetit. Por nga fillimi i viteve 2000, e njëjta prirje u shfaq edhe në Evropë, nga Danimarka deri në Itali.
Sipas Dr. Anders Juul, endokrinolog pediatrik në Spitalin Universitar të Kopenhagës, shkencëtarët ende nuk e kuptojnë plotësisht se çfarë po e nxit këtë ndryshim.
Hulumtimet tregojnë se obeziteti mund të jetë një faktor kyç, pasi yndyra e tepërt rrit nivelet e leptinës, hormon që sinjalizon fillimin e pubertetit.
Një rol të mundshëm luajnë edhe kimikatet që prishin sistemin endokrin, të pranishëm në ushqime dhe produkte të përditshme, si PFAS. Për më tepër, faktorë të stilit të jetesës, si qëndrimi i ulur dhe përdorimi i shtuar i pajisjeve elektronike gjatë pandemisë COVID-19, janë lidhur me rritje të rasteve të pubertetit të hershëm.
Edhe faktorët socio-ekonomikë dhe familjarë duket se ndikojnë, duke e bërë këtë çështje komplekse dhe ende të hapur për studime të mëtejshme. /Gazeta Shneta/


