Një studim i ri shkencor ka zbuluar se bakteret që shkaktojnë sëmundje të mishrave të dhëmbëve mund të rrisin ndjeshëm edhe rrezikun për zhvillimin e kancerit të kokës dhe qafës.
Sipas të dhënave, më shumë se një duzinë speciesh bakteriale janë lidhur me një rritje kolektive prej rreth 50% të këtij rreziku, raporton Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Bashkëautori kryesor i studimit, Dr. Richard Hayes, profesor i shëndetit publik në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Nju Jorkut, theksoi se këto gjetje ofrojnë një arsye tjetër të fortë për të ruajtur higjienën e mirë orale.
Sipas tij, larja e rregullt e dhëmbëve dhe përdorimi i penjve dentarë nuk ndihmojnë vetëm në parandalimin e sëmundjes periodontale, por mund të luajnë rol edhe në mbrojtjen nga kanceri i kokës dhe qafës.
Studiuesit vunë në dukje se disa nga këto mikrobe janë tashmë të njohura për kontributin e tyre në infeksione serioze të mishrave të dhëmbëve.
Për realizimin e studimit, u analizuan të dhënat nga tre projekte të mëdha kërkimore që përfshinin rreth 160,000 amerikanë nga pjesë të ndryshme të vendit, të cilët po ndiqeshin për faktorët e rrezikut të kancerit.
Të gjithë pjesëmarrësit dhanë mostra pështyme për të identifikuar llojet dhe sasinë e baktereve në gojë.
Gjatë një periudhe ndjekjeje prej 10 deri në 15 vjetësh, 236 persona u diagnostikuan me kancer të kokës dhe qafës.
Krahasimi i mikrobiomës orale të tyre me atë të personave pa kancer tregoi se 13 specie bakteriale ndikojnë në rritjen ose uljen e rrezikut, me një rritje totale prej 30%. Kur këto u kombinuan me pesë baktere të tjera të lidhura me sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, rreziku u rrit në 50%. Studimi u publikua më 26 shtator në revistën “JAMA Oncology”. /Gazeta Shneta/


