Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Oral, më 18 dhe 19 mars, në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK) janë zhvilluar aktivitete edukative, promovuese dhe ndërgjegjësuese, me synim rritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit oral në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve.
Aktivitetet janë realizuar me përfshirjen e mjekëve specialistë, specializantëve dhe studentëve të stomatologjisë, të cilët kanë mbajtur ligjërata edukative dhe kanë ofruar këshilla për mirëmbajtjen e higjienës orale.
Përmes këtyre angazhimeve, janë zhvilluar edhe iniciativa sensibilizuese për grupmosha të ndryshme, duke i kushtuar rëndësi të veçantë fëmijëve dhe grave shtatzëna përmes vizitave në institucione shëndetësore dhe arsimore.
Në kuadër të aktiviteteve, në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë ka qëndruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka mbështetur fushatën për ndërgjegjësimin mbi kujdesin ndaj shëndetit oral.
Gjithashtu, janë organizuar aktivitete simbolike, përfshirë formimin e figurës së dhëmbit pranë ndërtesës së QKUK-së nga stafi dhe studentët, si dhe aktivitete promovuese përmes “Kornizës së buzëqeshjes”, me mesazhe që theksojnë rëndësinë e kujdesit dhe parandalimit. /Gazeta Shneta/


