Anëtari i Bordit Osman Hajdari nuk mori pjesë në mbledhjen ku u votua për vazhdimin e kontratës së drejtorit Elvir Azizi.
Përfaqësuesi i spitaleve të përgjithshme në Bordin Drejtues të SHSKUK-së, Osman Hajdari, nuk mori pjesë në mbledhjen ku u votua për vazhdimin e kontratës së drejtorit të përgjithshëm Elvir Azizi, shkruan Gazeta Shneta.
Hajdari, i cili mban pozitën e drejtorit të Spitalit të Prizrenit, në fakt e ka pezulluar angazhimin e tij në këtë organ pasi ka kërkuar sqarime nga Agjencia Kundër Korrupsionit, nëse dy pozitat e tij bien ndesh.
“Po e vërtetë që nuk kam marr pjesë në këtë mbledhje meqë e kam pezulluar angazhimin tim në Bord. Unë kam kërkuar sqarim nga Agjencia Kundër Korrupsionit nëse dy pozitat e mia, drejtor i spitalit dhe anëtar i Bordit, kanë mospërputhje ose ndonjë konflikt interesi. AKK me datën 16 qershor më kanë konfirmuar se kanë filluar trajtimin e rastit tim dhe për këtë e kam njoftuar kryesuesin e Bordit të cilit i kam treguar se deri në një vendim të AKK-së e kam të pezulluar angazhimin tim”, ka deklaruar Hajdari.
Hajdari më parë ka qenë edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Kujtojmë se Bordi Drejtues mori vendim për vazhdimin e kontratës për drejtorin e përgjithshëm Elvir Azizi. Kjo është hera e parë që Bordi merr kësi vendimi në historinë e SHSKUK-së. Anëtarët e Bordit që e morën këtë vendim janë: Faik Shatri, kryesues dhe anëtarët Tetore Olloni, Mentor Sadiku, Ardit Baraku dhe Vjollca Zeqiri. /Gazeta Shneta/


