Një studim i fundit ka zbuluar se qeset e çajit mund të çlirojnë miliarda grimca mikroplastike gjatë përgatitjes së çajit. Këto grimca, të padukshme me sy të lirë, mund të përfundojnë në trupin e njeriut dhe potencialisht të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë.
Sipas studimit të publikuar në nëntor 2024 në revistën “Chemosphere”, qelizat humane janë në gjendje të thithin këto grimca plastike, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin e tyre në shëndet, shkruan burimi Health transmeton Gazeta Shneta.
Hulumtimi analizoi tre marka të ndryshme qesesh çaji, për të matur nivelin e ekspozimit ndaj mikroplastikës. U zbulua se qeset e bëra nga polipropileni, një material i zakonshëm plastik, çlironin mbi një miliard grimca për mililitër çaj.
Edhe qeset e bëra nga celuloza apo najloni i rrjetëzuar lëshonin miliona grimca për mililitër, duke treguar se asnjë material plastik nuk është plotësisht i sigurt.
Për të kuptuar ndikimin biologjik, studiuesit i ekspozuan këto grimca ndaj qelizave intestinale njerëzore.
Rezultatet treguan se qelizat i përthithnin mikroplastikat, gjë që sugjeron se këto grimca mund të grumbullohen në trup pas konsumimit të çajit.
Sipas autores kryesore, Dr. Alba García-Rodríguez nga Universiteti Autonom i Barcelonës, studimi tregon se njerëzit janë të ekspozuar çdo ditë ndaj sasive të mëdha të plastikës njëpërdorimshe.
Për të reduktuar rrezikun, ekspertët rekomandojnë përdorimin e çajit me gjethe të lira dhe infuzorëve prej çeliku inox ose filtrave të ripërdorshëm, që janë alternativa më të sigurta dhe më miqësore me mjedisin. /Gazeta Shneta/


