Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Spitali Rajonal i Pejës i kanë shpërblyer operatorë ekonomik me tenderë qindra mijëra eurosh, edhe pse nuk i kanë plotësuar kriteret sipas dosjeve dhe kërkesave. Kështu ka konkluduar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2024
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj të adutimit për Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar ka evidentuar se në QKUK dhe në Spitalin e Pejës janë dhënë tenderë qindra mijëra eurosh pa i plotësuar të gjitha kriteret, shkruan Gazeta Shneta.
ZKA në raportin e auditimit për SHSKUK-në për vitin 2024, ka gjetur se tenderi “Servisimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore” me vlerë 231,500 Euro, ishte dhënë pa i përmbushur të gjitha kërkesat.
“Kushtet teknike në këtë tender kërkojnë që serviseri të ketë licencë nga prodhuesi për të mbuluar të gjitha markat e pajisjeve të kërkuara, përfshirë markat: Samsung, Bayer Medrad, Artronic dhe UPS 120Kva Galaxy 5500. Megjithatë, OE ka ofruar vetëm licencën për servisimin e markës Philips dhe jo për markat tjera”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Një tjetër tender me vlerë 346,346 Euro që është dhënë pa i plotësuar të gjitha kërkesat, është për renovimin e ambulantave të pranimit në Klinikën e ORL-së dhe Oftalmologjisë.
“OE ka paraqitur në ofertë certifikatë për ISO 9001:2015, ISO 14001:2015, dhe ISO 45001:2018, për këto certifikata janë të skaduara më 10.03.2024, ndërkohë që njoftimi për kontratë është bërë më 05.04.2024, duke i bërë ato të pavlefshme”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Edhe në Spitalin e Pejës është dhënë tenderi për “Ndërtimin e depos Sanitare Farmaceutike” me vlerë 299,833 Euro. Por operatori fitues nuk kishte prezantuar diplomat e inxhinierit sipas kërkesave. Diploma bachellor dhe master ishin fituar në Shqipëri, dhe OE nuk i kishte prezantuar të noterizuara dhe nostrifikuara në Kosovë. Për këtë procedurë nuk ishin respektuar edhe dy kërkesa tjera në lidhje me certifikatën për auditor të efiçiencës si dhe marrëveshjet për qira të pajisjeve.
ZKA ka tërhequr vërejtjen se mos respektimi i Ligjit të Prokurimit rrezikon cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve, si dhe barazinë në proces. Për këtë arsye është kërkuar të forcohet kontrolli i brendshëm. /Gazeta Shneta/




