Qendra Klinike Universitare e Kosovës i ka bërë gati 46 mijë euro për t’i shpenzuar në mbjelljen e barit dhe disa drunjëve në oborrin e tri klinikave.
QKUK më 6 tetor ka hapur një procedure tenderuese me vlerë të parashikuar 46 mijë euro me titull “Rregullimi i parterit tek klinika e Kirurgjisë, përballë Instituteve Paraklinike dhe klinikës së Pediatrisë, dhe mbjellja e drunjëve dekorativ”, shkruan Gazeta Shneta.
Në dosjen e tenderit parashihet që oborret e këtyre tri klinikave të pastrohen nga mbeturinat e forta, të lëvrohen dhe të mbillet bari, si dhe të ndërtohen disa shtigje me kubëza betoni.
Poashtu me 46 mijë euro QKUK do të paguaj për mbjelljen e rreth 150 drunjë dekorativ, disa shemshira dhe një mijë trëndafila.
Një tender me vlerë të ngjashme prej 46 mijë eurosh është anuluar disa javë më parë në Qendrën Rehabilituese të Shtimes, pas raportimit të Gazetës Shneta.
“Arsyeja e anulimit është se pas konsultave me drejtorin financiar pran Bordit të SHSKUK-së, (Enver) Z.Gashi lidhur me shpenzimet e fondeve sipas kategorisë ekonomike (kodeve) të planifikuara nga QIRSPK-Shtime për Rinovimin dhe rregullimin e hapësirave të jashtme të oborrit në QIRSKP-Shtime”, thuhej në vendimin e menaxherit të prokurimit, Sami Musliu. /Gazeta Shneta/