Internisti Driton Vela ka ngritur dyshime në punën e mjekëve duke aluduar në onkologë, se po iu japin pacientëve imunoterapi pa indikacion.
Vela i cili është specialist i internos dhe pretendon se është shkencëtar, ka shkruar në profilin e tij në Facebook për përdorimin e imunoterapisë e cila aplikohet tek pacientët e sëmurë me kancer. Ai ka ngritur dyshime se mjekët po e keqpërdorin këtë terapi të shtrenjtë duke e administruar tek pacientë pa i respektuar indikacionet, shkruan Gazeta Shneta.
Ky shkrim i tij ndodh në kohën kur në Klinikën e Onkologjisë në QKUK po mungojnë disa lloje të barnave, përfshirë edhe ato të imunoterapisë.
“Nëse imunoterapia në Kosovë është aprovuar për indikacion të caktuar, e në anën tjetër (keq)përdoret për një mori indikacionesh tjera nga numër i vogël i mjekëve për një kohë të shkurtër pa kurrfarë kontrolli, atëherë sigurisht që buxheti për këto barna harxhohet në tërësi. Shtrohet pyetja ku e kanë hallin këta mjekë që kaq shpejt e pa i respektuar indikacionet e kanë harxhuar kaq shpejtë buxhetin e shtetit për barna kaq të shtrenjtë”, ka shkruar Vela në postimin e tij.
Sipas tij, Imunoterapia është lluks për shumë shtete të botës për shkak të kostos, për këtë arsye indikacionet për përdorimin e kësaj terapie duhet të respektohen me rigorozitet.

Kujtojmë se Vela është kryesues i Komisionit kyç për revidimin e Listës së Barnave Esenciale. Ai po ashtu është përfolur edhe si një nga emrat e mundshëm për ministër të Shëndetësisë.
Për marrjen e kësaj pozite Vela ka folur për media disa ditë më parë ku ka thënë se si “shkencëtar” nuk mund të flas pa gjëra konkrete.
“Nuk mund të hamendësoj asgjë – të flas për një pozitë përderisa s’kam marrë ofertë ose diçka tjetër. Nuk merrem me spekulime. Unë jam shkencëtar, i dua gjërat konkrete”, ka deklaruar Vela për Nacionale. /Gazeta Shneta/




