Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka reaguar ndaj raportimeve në media, në të cilat pretendohej se një shtrat në Klinikën e Pediatrisë ishte i thyer dhe se pacienti ishte detyruar të flinte në dysheme.
Sipas QKUK-së, verifikimi i kryer nga Shërbimet Teknike ka konstatuar se shtrati ka qenë dhe vazhdon të jetë plotësisht funksional dhe i sigurt për përdorim, përcjell Gazeta Shneta.
QKUK-ja sqaron se pjesa që mungon në fotografitë e publikuara është një komponent sekondar, i cili nuk ndikon në funksionimin e shtratit, përfshirë ngritjen, uljen, pozicionimin e pacientit apo stabilitetin e tij. Megjithatë, në kuadër të mirëmbajtjes së rregullt, është iniciuar procedura për zëvendësimin e kësaj pjese.
Lidhur me fotografitë ku dysheku shihet në dysheme, QKUK bën të ditur se ai është larguar nga shtrati dhe është vendosur në dysheme nga shoqëruesit e pacientit, pasi ata kishin dëgjuar një zhurmë nga shtrati, ndonëse, sipas institucionit, u ishte sqaruar se shtrati ishte i sigurt për përdorim, gjë e cila është konfirmuar edhe nga verifikimi teknik.
Reagimi i plotë:
Lidhur me raportimet në media, në të cilat pretendohet se një shtrat në Klinikën e Pediatrisë është i thyer, ju njoftojmë se verifikimi nga Shërbimet Teknike ka konstatuar se shtrati ka qenë dhe vazhdon të jetë plotësisht funksional dhe i sigurt për përdorim.
Pjesa e munguar në fotografi është një komponent sekondar, i cili nuk ndikon në funksionimin e shtratit, si ngritja, ulja, pozicionimi i pacientit apo stabiliteti i tij.
Në kuadër të mirëmbajtjes së rregullt, si në aspektin funksional ashtu edhe në atë estetik, është iniciuar procedura për zëvendësimin e pjesës përkatëse.
Sa i përket fotografive të publikuara, dysheku është larguar nga shtrati dhe është vendosur në dysheme nga shoqëruesit e pacientit me arsyen se kishte dëgjuar një zhurmë të shtratit edhe pse i është treguar që shtrati është i sigurt ashtu edhe siç e ka konfirmuar verifikimi teknik.
QKUK u bën thirrje mediave që, para publikimit të informacioneve që lidhen me shërbimet shëndetësore, të kërkojnë sqarime edhe nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që qytetarët të informohen drejt dhe të mos krijohen perceptime të pasakta.


