Të dhënat tregojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të investojnë më pak në shëndetësi krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, ndërsa Kosova renditet në fund të listës së investimeve publike.
Financimi i sistemeve shëndetësore mbetet një nga sfidat kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga EUROSTAT për vitin 2024, dallimet në shpenzimet për kujdesin spitalor për banor janë të konsiderueshme në gjithë rajonin, përcjell albinfo.ch.
Shqipëria kryeson renditjen me 135 euro shpenzime për banor për shërbimet spitalore, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 111 euro, Serbia me 92 euro dhe Mali i Zi me 79 euro. Maqedonia e Veriut renditet e fundit për këtë tregues, me vetëm 42 euro për banor.
Sipas raportit, këto shifra përfshijnë si fondet publike, ashtu edhe pagesat që qytetarët bëjnë nga xhepi për trajtimet spitalore. Në vendet ku financimi shtetëror është më i ulët, qytetarët detyrohen të mbulojnë një pjesë më të madhe të kostove, duke rritur kështu shpenzimet totale për frymë.
Sa i përket investimeve publike në shëndetësi, Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të renditen ndër vendet me financimin më të ulët në rajon. Ndërsa Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi shpenzojnë mbi 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për shëndetësinë publike, Kosova dhe Shqipëria mbeten dukshëm nën këtë nivel.
Në përgjithësi, vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të investojnë më pak në shëndetësi sesa mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila gjatë viteve të fundit është luhatur ndërmjet 7 dhe 10 për qind të PBB-së./Albinfo.ch


