Në QKUK, Shërbimi i Ortoprotetikës, rekruton punëtorë të rinj, pas një kohe të gjatë e cila kishte punuar me staf të kufizuar në përpjekje për 18 vite rresht të mbulojë nevojat dhe kërkesat e pacientëve.
Ashtu siç ceket, në njoftimin e lëshuar nga ShSKUK-ja, konkursi i fundit në këtë drejtim, ishte hapur në vitin 2004 dhe ishte pranuar vetëm 1 person, përcjell Gazeta Shneta.
“Sipas kërkesës së Ortoprotetikës, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar 8 teknikë për të mbuluar të gjitha pozitat vakante dhe me qëllim që pritjet të reduktohen e cilësia e shërbimeve mjekësore të rritet” thuhet në njoftim.
Shërbimi i Ortoprotetikës merret me prodhimin e protezave të gjymtyrëve të poshtme, prodhimin e ortozave të ndryshme (mjet ortopedik që siguron korrigjimin e deformitetit në mbështetje të humbjes së funksionit të këmbës apo dorës) korsetave për rregullimin e deformimeve të shtyllës kurrizore dhe këpucë ortopedike, gjersa trajton të gjithë pacientët me aftësi të kufizuara, pa dallim moshe. /Gazeta Shneta/