QKUK ua mundëson mjekëve ta lënë Kosovën për Arabinë Saudite

2018-06-07 në ora 12:15

Një njoftim zyrtar i vulosur është vendosur në hyrjen zyrtare të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Por njoftimi nuk është i SHSKUK-së, por i një kompanie të quajtur “Dignity Recruitment Solutions”.

Kjo kompani synon t’i nxjerr mjekët e infermierët nga QKUK, e t’i dërgojë në Arabinë Saudite. Këtë madje ia ka mundësuar edhe vet QKUK, duke lejuar që njoftimi i kompanisë të vendoset në hyrjen kryesore, shkruan Gazeta Shneta.

“Njoftohen të gjithë të interesuarit se kompania Dignity recruitment Solutions në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të Arabisë Saudite organizon punëtori për njoftimin mbi mundësinë e punësimit si mjek/e apo infermier/e në Arabinë Saudite”, thuhet në këtë njoftim.

Aty janë vendosur edhe numrat e telefonit, por të njëjtit Gazeta i ka fshirë për të mos ua dhënë mundësinë e reklamimit sikurse ka bërë Qendra Klinike Universitare. Kjo gjë ndodh në kohën kur Kosova po alarmohet nga ikja e personelit mjekësor nga Kosova.

Shumica e mjekëve dhe infermiereve të rinj po e lënë Kosovën për të shkuar në Evropë, në vende si Gjermania në kërkim të një pune nga mjekësia me të ardhura më të mira sesa në vendin tonë. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet pse Sindikatat kanë organizuar greva e protesta për të rritur pagat. /Gazeta Shneta/