Aftësitë kuruese të qumështit njihen pasi përmban vitaminë D dhe ul rrezikun e frakturave në kocka.
Por një studim i fundit thotë se konsumimi i më tepër se 3 gotave në ditë mund të shkaktojë probleme serioze.
Studiuesit thanë se personat që konsumonin më shumë se 3 gota qumësht ishin dyfish më të rrezikuar ndaj vdekjes se personat që konsumonin një gotë qumësht në ditë.
Megjithatë studiuesit suedezë thonë se ende nuk janë vërtetuar dëmet që mund të shkaktohen nga konsumi i tepërt i qumështit. Lajmi i mirë është se kosi dhe djathi ulin rrezikun e frakturave dhe të vdekjes.
Studiuesit kanë zbuluar se disa sheqerna që përmban qumështi mund të dëmtojnë qelizat e trupit dhe shkaktojnë inflamacione. Deri më sot qumështi rekomandohej pasi ka vitaminë D, e cila forcon kockat dhe mund të parandalojë infarktet.
Por studimi i fundit thotë se nëse konsumohen më shumë se tre gota, do të ketë efekte negative.
Profesori i Universitetit të Upsala-s, Karl Michaelson dhe grupi i tij kryen një studim për dëmet që mund të shkaktojë qumështi. Ata dolën në përfundimin se laktoza dhe galaktoza, të cilat zënë një përqindje të madhë në qumësht, mund të shkaktojnë vdekjen e qelizave të trupit, plakje dhe rënie të imunitetit.
Ndërkohë personat që konsumonin djathë apo kos, të cilat përmbajnë pak laktozë, ishin më pak të rrezikuar ndaj sëmundjeve të ndryshme apo ndaj vdekjes.