Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Prof. Naser Ramadani, ka fajësuar qytetarët për rritjen e numrit të rasteve pozitive me Covid-19.
Ai ka thënë se qytetarët që kërkuan të dalin vet nga izolimi, kanë filluar të sillen pandërgjegjshëm. Sipas tij kjo valë e rritjes së numrit është për shkak se qytetarët filluan të dalin në kafene, të shkojnë në punë, në autobus, në hapësira të mbyllura duke mos i respektuar udhëzimet, transmeton Gazeta Shneta.
“Pas lehtësimit të masave disa qytetarë nuk po iu përmbahen udhëzimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së. Udhëzimet janë të lehta, të mbahet distanca dhe maska aty ku ka grumbull të njerëzve”, ka thënë Ramadani.
Drejtori i IKSHPK-së ka kritikuar partitë politike për të cilat ka thënë se po kokorisin për Covid-19.
“Kemi kritika nga të gjitha anët, por më së shumti nga partitë politike të cilat po na dëmtojnë. Partitë politike i kisha lutur të mos përmendin fjalën covid-19. Ato po i rrezikojnë qytetarët sa herë e përmendin këtë fjalë. Po e themi me përgjegjësi të plotë. Po e themi para se me dal në një katastrofë, cdo individë që nuk iu përmbahen rekomandimeve dhe cdo anëtarë i partive politike që flasin e kokorisin në facebook e portale”, ka deklaruar Ramadani në emisionin “Zyra e Ankesave” në RTV Dukagjini.
Ramadani ka paralajmëruar qytetarët se nëse nuk i respektojnë masat atëherë do të rikthehen izolimet dhe kufizimet.
/Gazeta Shneta/