Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Dr. Naser Ramadani, është nervozuar me mediat të cilat nuk qëndruan për të përcjellë fjalimin e tij në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës ku u diskutua për koronavirusin Covid-19.
Para se të niste ligjëratën e tij para deputetëve duke treguar se si ishte paraqitur koronavirusi për herë të parë në Wuhan të Kinës, Ramadani, u ankua se mediat nuk qëndruan në sallë. “Të nderuara media, të cilat mbetën pakicë në sallë”, ishte deklarata e parë e Ramadanit, shkruan Gazeta Shneta.
Tutje ai u sqarua edhe për konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur më 8 shkurt së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia ditën kur u paraqit rasti i parë i dyshuar me koronavirus në Kosovë. Ai akuzoi mediat për presion që sipas tij e kishin shtyrë të mbante dy konferencat.
“Kemi pas shumë presion prej mediave prandaj jemi detyruar të mbajmë dy konferencat e jashtzakonshme. Kemi pasur shumë pyetje prej tyre. Na kanë kritikuar për këto konferenca. Por kishim presion”, ka deklaruar Ramadani.
Ramadani ka gjetur edhe pak kohë që të vetlavdërohet në këtë mbledhje duke thënë se shëndetësia publike e Kosovës nuk dallon nga vendet e Evropës fal eksperiencës së tij profesionale.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje psikologu Fitim Uka ka thënë se ka tendenca për të marr pozitën e protagonistit në situatën e krijuar me koronavirusin.
“Ka tendenca për protagonizëm nga studiuesit vendor dhe ndërkombëtar. Po shkaktojnë panik tek qytetarët duke u munduar të tregojnë ‘beckgroundin’ profesional”, ka deklaruar Uka, duke dhënë kështu një mesazh për Ramadanin dhe profesionistët tjerë. /Gazeta Shneta/