Lufta globale kundër HIV-it ka shënuar përparime të dukshme në vitet e fundit, por përparimi nuk është në nivelin e pritur.
Sipas raportit vjetor të Programit të Kombeve të Bashkuara mbi HIV-in dhe SIDA-n (UNAIDS), vitin e kaluar u regjistruan 1.3 milionë raste të reja të infektimit me HIV, një ulje prej 39% krahasuar me vitin 2020. Megjithatë, numri i vdekjeve nga AIDS mbetet shqetësues, duke arritur në 630,000 vdekje në vit, një vdekje çdo minutë, shkruan Reliefweb, transmeton Gazeta Shneta.
Raporti thekson disa arritje të rëndësishme. Numri i individëve që marrin trajtime antiretrovirale është rritur në 30.7 milionë, duke përfaqësuar 75% të individëve seropozitivë, në krahasim me 47% në vitin 2010. Po ashtu, është ulur transmetimi i HIV-it nga nëna te foshnja dhe janë regjistruar më shumë raste jashtë Afrikës subsahariane, e cila ka qenë epiqendra e epidemisë për një periudhë të gjatë.
Megjithatë, shqetësimet nuk mungojnë. Infektimet po rriten në disa rajone si Evropa Lindore, Azia Qendrore, Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Pabarazitë gjinore dhe stigma ndaj disa grupeve minoritare, si punonjësit e seksit dhe individët që përdorin droga intravenoze, vazhdojnë të jenë pengesa të mëdha në përpjekjet për të ndaluar përhapjen e HIV-it.
Drejtuesja ekzekutive e UNAIDS, Winnie Byanyima, theksoi se liderët globalë janë angazhuar për të ndaluar pandeminë e SIDA-s deri në vitin 2030, por për të arritur këtë objektiv, është thelbësore që të sigurohen burime të mjaftueshme dhe të mbrohen të drejtat e njeriut. Reduktimi i burimeve dhe mungesa e mbrojtjes së të drejtave të njeriut po pengojnë përparimet dhe po rrisin numrin e epidemive në disa rajone.
Byanyima nënvizoi se dështimi nuk është një opsion dhe bëri thirrje për një angazhim të bashkuar për të arritur qëllimet e përbashkëta. Nëse do të merren masat e duhura për garantimin e burimeve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të mund të ulet numri i individëve që kanë nevojë për trajtim të përhershëm dhe të arrihet objektivi përfundimtar në luftën kundër HIV-it./ Gazeta Shneta/


