Një studim i botuar në “JAMA Cardiology”, ka zbuluar se të rriturit që zhvillojnë sëmundje të zemrës në moshë më të vonshme shpesh përjetojnë një rënie të aktivitetit fizik rreth 12 vite para ngjarjes kardiovaskulare.
Analiza, e bazuar në të dhëna nga mbi 3,000 pjesëmarrës të studimit afatgjatë “CARDIA”, tregoi se nivelet e aktivitetit fizik të moderuar deri në të lartë (MVPA) fillojnë të bien nga rinia e hershme deri në moshën e mesme, duke u stabilizuar më vonë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rënia e aktivitetit u vu re në të gjitha grupet demografike, por studiuesit identifikuan diferenca të dukshme: meshkujt me ngjyrë kishin rënie të vazhdueshme nga rinia deri në moshën e mesme, ndërsa femrat me ngjyrë raportuan nivelet më të ulëta të aktivitetit fizik gjatë gjithë jetës.
Këto gjetje theksojnë pabarazitë ekzistuese në shëndet dhe qasjen ndaj aktivitetit fizik.
Sipas autorit të studimit, Prof. Yariv Gerber nga Universiteti i Tel Avivit, aktiviteti fizik është një nga mjetet më të fuqishme për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën.
Ai shpjegon se procesi i zhvillimit të sëmundjeve të zemrës zgjat vite, duke krijuar një “dritare të gjatë mundësie” për parandalim.
Studiuesit vunë re se në dy vitet para ngjarjes kardiake, rënia e aktivitetit shpesh përshpejtohej.
Mbajtja e një stili jetese aktiv në gjithë moshën e rritur ndihmon në kontrollin e presionit të gjakut, lipideve, glukozës dhe peshës trupore, duke vonuar ose parandaluar shfaqjen e sëmundjes së zemrës, sidomos nëse ndërhyrjet bëhen herët. /Gazeta Shneta/


