Kryetarja e Komisionit për Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës Albena Reshitaj, ka mbajtur një konferencë për media ku ka treguar për mbledhjen ku kanë raportuar shefi i Qendrës Operative të MSH-së Pashk Buzhala dhe menaxheri i karantinës Dr. Valdet Hashani.
Reshitaj ka deklaruar se në këtë takim është diskutuar dhe është kërkuar llogari nga këta udhëheqës, për respektimin e zingjirit menaxhues të karantinës dhe procedurave për karantimin përkatësisht lirimin e personave nga Qendra Studentore, shkruan Gazeta Shneta.
“Nga ky takim ne kuptuam ka pasur shkëputje të hallkave bashkëpunimit dhe komunikimit. Ka pasur standarde të dyfishta të vendosjes ose largimit të individëve nga kjo qendër. Ka qytetar që janë larguar menjëherë nga aeroporti i vendit kurse një pjesë tjetër në karantinë. Afër 50% e qytetarëve që janë karantinuar thuhet se kanë qenë të sëmurë dhe kjo të lë të dyshosh qe shumica prej tyre kanë pasur arsye për tu larguar”, tha ajo.
Reshitaj ka thënë se në bazë të dokumenteve që iu janë ofruar, Komisioni ka konstatuar shkelje në menaxhimin dhe procedurat e lirimit të personave nga karantina. Ajo ka prezantuar një dokument i cili është publikuar edhe më parë në media, ku sipas saj ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka nënshkruar dokument ku është dhënë diagnozë profesionale për persona të sëmurë psikiatrik.
“Ministri Vitia e ka nënshkruar këtë dokument, por për çështje të etikës nuk mund ta publikoj. Dokumenti përmend emrat e personave dhe diagnozën e tyre që kanë probleme psikiatrike dhe është i nënshkruar nga vet ministri Vitia. Ky dokument nuk është i nënshkruar nga profesionistë mjekësor. Por edhe nëse do t’i shtohet dokumenti profesional, prap se prap diagnoza profesionale psikiatrike nuk guxon të shkruhet në një dokument i cili nënshkruhet dhe vuloset nga ministri. Kjo është një shkelje procedurale”, ka deklaruar Reshitaj.
Kryetarja e Komisionit ka thënë se kanë diskutuar edhe për rastin e vdekjen e studentit 26-vjeçar Agon Musliu, i cili dyshohet se ka rënë nga kati i pestë në Qendrën e Studentëve, por Reshitaj ka thënë se për këtë rast nuk mund të flasin në media për momentin. /Gazeta Shneta/