Konsumimi i fibrave ushqimore lidhet jo vetëm me shëndet më të mirë fizik dhe jetëgjatësi, por edhe me mbrojtjen e funksioneve njohëse të trurit.
Dietat e pasura me drithëra të plota, fruta, bishtajore, arra dhe fara ndikojnë pozitivisht në mikrobiomën e zorrëve dhe në lidhjen zorrë–tru, duke ngadalësuar rënien e aftësive mendore.
Fibrat janë karbohidrate që nuk treten lehtësisht dhe kalojnë pothuajse të paprekura në sistemin tretës. Ato ndihmojnë në ndjenjën e ngopjes, stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe kontribuojnë në peshë më të shëndetshme trupore.
Një konsum i mjaftueshëm, rreth 25–30 gramë në ditë, lidhet me ulje të rrezikut për sëmundje të zemrës, goditje në tru, diabet tip 2 dhe kancer të zorrës së trashë, shkruan BBC.
Një rol kyç luan ndikimi i fibrave në bakteret e zorrëve.
Gjatë tretjes së tyre prodhohen acide yndyrore me zinxhir të shkurtër, si butirati, që ushqejnë qelizat dhe ndihmojnë në uljen e inflamacionit. Butirati gjithashtu mbron barrierën e zorrëve, duke penguar substancat e dëmshme të arrijnë në tru, transmeton Gazeta Shneta.
Studimet tregojnë se njerëzit me konsum më të lartë fibrash kanë rrezik më të ulët për demencë dhe funksion më të mirë njohës.
Madje, disa prova sugjerojnë se rritja e fibrave mund të përmirësojë kujtesën dhe përqendrimin në një kohë relativisht të shkurtër.
Megjithatë, shumica e njerëzve konsumojnë shumë më pak fibra sesa rekomandohet.
Rritja e marrjes së tyre mund të arrihet lehtësisht duke shtuar më shumë ushqime bimore në dietë, veçanërisht bishtajore si thjerrëzat dhe qiqrat, si dhe duke konsumuar fruta, perime, arra dhe fara çdo ditë. /Gazeta Shneta/


