Keqpërdorime të shumta janë bërë në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi e të cilat redaksia hulumtuese e emisionit “Udhëve” i ka dokumentuar mbi bazën e dosjeve të tëra, të siguruara në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi e Siguria Bërthamore përmes qasjes në dokumente publike.
Shef i shërbimit për mbrojtje nga rrezatimi në IMP në Obiliq është Sehad Kadiri. Ai deri para pak javësh kishte edhe licencë të ekspertit të pavarur në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRRSB) që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit si dhe punon edhe në QKUK në shërbimin onkologjik.
Emisioni Udhëve ka gjetur disa ankesa që janë ushtruar ndaj Kadirit e ku pretendohet se ai duke shfrytëzuar monopolin në Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq ka kushtëzuar institucionet që punojnë me rreze X, që atë ta kontraktojnë si ekspert për t’iu kryer ekspertizat institucioneve që kanë dashur të licencohen në Agjenci për të punuar me rrezatim. Madje, çmimi që Kadiri ka ofruar, sipas ankesave ka qenë më i lartë se ai i ekspertëve tjerë.
Agjencia ndërkaq ka të licencuar gjithsej 12 ekspertë për mbrojtje nga rrezatimi që vlerësojnë kushtet e punës në kabinetet që punojnë me rrezatim dhe bëjnë një raport përmbledhës nëse institucioni përmbushë kushtet për t’u licencuar.
Bazuar në kërkesën për qasje në dokumente publike që emisioni Udhëve ka parashtruar në AKMRRSB, rezulton se për periudhën 1 korrik 2022 deri më 15 shtator 2022 z. Kadiri është autorizuar nga Agjencia për të kryer ekspertiza private hiç më pak se 19 herë, derisa 11 ekspertët tjerë janë autorizuar për vetëm 5 ekspertiza.
Gjatë vitit 2021 nga 60 ekspertiza sa janë kryer në tërësi, 48 i ka kryer Sehad Kadiri, kurse 11ekspertët tjerë i kanë kryer vetëm 12 ekspertiza.
Dumani: Shihet qartë se kemi të bëjmë me njëanshmëri që i vie era korrupsion
Shyqri Dumani është një nga ekspertët tjerë të njohur nga Agjencia, e që pikërisht për këtë çështje ka shprehur shqetësimet e tija në AKMRRSB.
Në Ankesën e siguruar nga emisioni Udhëve përmes kërkesës për qasje në dokumente publike thuhet: “Nga lista, sipas kontratës shihet qartë se mbi 80 për qind të punëve i janë dedikuar një kompanie, gjegjësisht një personi. Nga këto të dhëna, shihet qartë se kemi të bëjmë me njëanshmëri që i vie era korrupsion. Përveç kësaj duket qartë se është edhe konflikt interesi”.
Kjo konfirmohet nga u.d. drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, znj. Besa Curri Limani.
“Autorizimet e Ekspertëve lëshohen duke u bazar në mbështetje të nenit 7 nënparagrafi 1.3 të Ligjit Nr. 06/L-029 për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Berthamore, në nenin 10 nënparagrafi 1.12 të Rregullores Nr. 24/2018 për Autorizime, Rregulloren Nr. 08/2020 për Kufijtë e Dozave dhe Mbrojtjen nga Rrezatimi, dhe në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative”.
Sehad Kadiri mohon gjitha këto pretendime. “Zotëri Dumani nga forma si e ka përpilu këtë ankesë shihet që nuk e di si merret kjo punë. Puna nuk merret në Agjenci, por ti gjen klientin, partnerin, nënshkruan kontratën, është formular i kërkesës dhe dorëzohet në agjenci dhe agjencia e shqyrton”, ka thënë ai.
Eksperti Shyqri Dumani i cili ka akuzuar për konflikt interesi, monopol dhe ka përmendur edhe korrupsionin ka ngritur shqetësimet e tija edhe për emisionin Udhëve.
“Arsyeja kryesore ka qenë që leje për të bërë ekspertiza të burimeve radioaktive iu ka dhënë vetëm një personi të caktuar ndërsa ekspertët tjerë kanë qenë të gjithë jashtë sistemi, që do të thotë shumë pak iu kanë dhënë ekspertiza nga ana e Agjencionit. Andaj kam kërku që të gjithë ekspertët që janë të licencuar të kenë qasje në bërjen e ekspertizave të burimeve radio aktive, gjegjësisht gjeneruesve të rrezeve Iks”, ka thënë Dumani.
Ankesa të shumta në adresë të shefit të dozimetrisë në IMP
Por Kadiri thotë se tregu është tërësisht i lirë dhe njohja me pronarë të kabineteve të rëntgenit ka bërë që ai të ketë numër më të madh të kontratave. I pyetur nëse është shfrytëzuar pozicioni i tij si shef i dozimetrisë për këto kontakte, ai ka mohuar një gjë të tillë.
Por, megjithatë institucionet që punojnë më rreze X për t’u licencuar në Agjencinë e Rrezatimit, e katë të domosdoshme që të lidhin me kontratë me Institutin e Mjekësisë së Punës (IMP), për leximin e dozimetrave. Paradoksalisht, qysh konfirmon vet drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi, Besa Curri – Limani, vet IMP nuk janë të licencuar në Agjenci.
Por, mos kontraktimi i z. Kadiri si ekspert i pavarur për të kryer matjet del se i ka kushtuar me vonesë disa muajshe të licencimit edhe kompanisë “My Clinik”, pronari i së cilës po ashtu është ankuar në AMRRSB në një shkresë më datën 16.02.2021, të siguruar përmes qasjes në dokumente publike.
“Ne po besojmë se po na bëhet qëllimisht pasiqë i njëjti nuk e ka marrë punën në institucionin tonë për matjet si kompani private; por për shkak të çmimit të lartë që ka kërkuar ne nuk e kemi përzgjedhë” – thuhet në ankesën e Ekan Ibrahimit, ku ceken edhe dëmet që iu kanë shkaktuar si biznes si pasojë e shtyrjeve të licencimit.
Kadiri edhe për këtë ankesë ka thënë se absolutisht nuk ka të bëjë me punën e tij. “Ne kemi qindra klientë që kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin shërbime nga ky institut. Praktikisht, më lejo të sqaroj, si ka ndodhur te kjo ankesë. Ky ka bërë kërkesë zyrtare për furnizim me dozimetra. Kur kemi bisedu i kam thënë është mirë për mënyrën dhe për pagesat nuk kemi pasur asnjë formë të bisedës. Në lidhje me këto ankesa unë nuk jam njoftuar asnjëherë, unë nuk jam njoftu asnjëherë”, thotë Kadiri për emisionin hulumtues “Udhëve” në RTK.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë: