Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rastet e kancerit globalisht pritet të arrijnë 29.5 milion në vitin 2040, nga 19.3 milion në vitin 2020.
Numri i vdekjeve gjithashtu do të rritet nga 10 milion në vitin 2020 në 16 milion në vitin 2040. Ky rritje e shpejtë e sëmundjes e bën kancerin një sfidë kryesore për shëndetin publik dhe ekonominë globale, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Rritja më e madhe e rasteve pritet të ndodhë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku qasja në diagnostikim të hershëm dhe trajtime efektive është e kufizuar. OBSH thekson se faktorë si plakja e popullsisë, zakonet e jetesës, duhanpirja, dieta e pashëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik po kontribuojnë ndjeshëm në këtë trend.
Sipas ekspertëve, për të përballuar këtë krizë shëndetësore, vendet duhet të investojnë në programet e parandalimit, të përmirësojnë qasjen në skrining për kancerin dhe të sigurojnë trajtime të avancuara të qasshme për të gjithë qytetarët.
Ndryshimi i stilit të jetesës, përfshirë ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin fizik të rregullt, mund të ulë ndjeshëm rrezikun individual të sëmundjes. OBSH paralajmëron se pa ndërhyrje urgjente, barrën globale e kancerit do ta ndiejnë më shumë vendet me burime të kufizuara mjekësore, duke shkaktuar një rritje dramatike të vdekjeve të parakohshme.
Depresioni dhe ankthi rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës
Një studim i madh ndërkombëtar, që përfshiu 120,000 pjesëmarrës nga 20 vende të ndryshme, ka zbuluar se personat me depresion kronik kanë 30% më shumë gjasa të pësojnë një sulm në zemër, ndërsa ata me ankth kronik kanë 25% rrezik më të lartë për dështim kardiak. Ky studim tregon qartë lidhjen e ngushtë midis shëndetit mendor dhe shëndetit kardiovaskular.
Hulumtimi përfshiu monitorime të tensionit të gjakut, analiza të shënuesve inflamatorë dhe teste të tjera të qarkullimit kardiak, duke vërtetuar se shqetësimet psikologjike kronike ndikojnë drejtpërdrejt në funksionin e zemrës dhe në sistemin vaskular. Shkencëtarët theksojnë se stresi psikologjik i vazhdueshëm aktivizon sistemin nervor simpatik, duke rritur presionin e gjakut, nivelin e hormoneve stresuese dhe inflamacionin, që të gjitha kontribuojnë në rritjen e riskut kardiovaskular.
Ekspertët rekomandojnë një qasje integruese për trajtimin e depresionit dhe ankthit: përfshirë terapi psikologjike, medikamente kur janë të nevojshme, aktivitet fizik të rregullt dhe monitorim të shëndetit të zemrës. Kjo qasje mund të ndihmojë në reduktimin e ndërlikimeve kardiake dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për personat që përballen me këto çrregullime. /Gazeta Shneta/


